Last Updated on 26/11/2026 by Klara
Deputeti i Partisë Demokratike,Tomorr Alizoti mori fjalën e tij në Kuvend ku diskutoi mbi aktet normative.
Alizoti u shpreh se, aktet normative të paraqitura nga qeveria bazohen kryesisht te kontrolli dhe forca policore, çka sipas tij tregon mungesën e besimit të ekzekutivit te qytetarët.
Ai theksoi se e drejta e protestës është elementi themelor i demokracisë dhe kritikoi mënyrën e veprimit të forcave të rendit gjatë tubimeve të mëparshme dhe zbatimit të masave administrative.
“Në të gjitha pikat e aktit normativ shikoj vetëm: POLICIA, POLICIA, POLICIA. Policia, duam apo s’duam, është një trupë e militarizuar, është një trupë që ushtron forcë. Pra, doni prapë shqiptarët t’i trembni me dhunë? Një polici që rrahu të rinjtë edhe në vendet e shenjta; i rrahu në kisha dhe xhami. Të dhunon edhe kur të sheh përtokë.
Shqiptarët kanë mijëra arsye për të protestuar. Çfarë mund t’i thoni një qytetari që s’ka punë, s’ka arsim, dhe ju miratoni akte normative për të mos lejuar protestat? Demokracia ka vetëm një element themelor dhe ai është protesta.
Ju keni frikë nga protesta, prandaj nuk i lini qytetarët të protestojnë. Policia rrit dozën e saj të forcës atëherë kur ju ulni besimin e qytetarëve dhe rritni dhunën. U gjobitën edhe jetimët, qytetarë që nuk kishin vend ku të banonin e të jetonin.
Ju po i ndaloni të protestojnë nëpërmjet disa taktikave politike. Policia, duam s’duam, është një trupë e militarizuar dhe ju prapë doni t’i trembni njerëzit me të.
Një polici që keqbërësit i thotë “shef”, ndërsa atij që është i pafuqishëm e kërkon drejtësi, i ushtron forcë. Po kur rritet doza e policisë? Atëherë kur policia humbet besimin dhe shton frikën. Përveç dhunës, hiqni edhe servilizmin, se të dyja nuk shkojnë bashkë. Mos e çoni me servilë Shqipërinë në BE!”/k.m
