Pas vitesh konfliktesh, akuzash dhe betejash në gjykatë, Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë arritur më në fund një marrëveshje për çështjen e kantinës së verës në Francë, Château Miraval, ku dikur u martuan.
Ish-çifti ka vendosur ta zgjidhë mosmarrëveshjen jashtë gjykatës, duke i dhënë fund një beteje ligjore që nisi në vitin 2022 dhe që për vite me radhë u shoqërua me akuza të ndërsjella dhe zbulime të reja rreth marrëdhënies së tyre.
“E kemi zgjidhur çështjen jashtë gjykatës, në interesin më të mirë të familjes sonë, dhe nuk do të komentojmë më tej”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të dy aktorëve, të publikuar më 25 nëntor.
Në deklaratë, Jolie dhe Pitt kanë theksuar gjithashtu se komentet e publikuara në media dhe të atribuuara burimeve anonime nuk vijnë prej tyre apo njerëzve të afërt me ta. Kushtet e marrëveshjes nuk janë bërë publike.
Si nisi beteja për kantinën e verës?

Château Miraval është prona në Francë që Angelina Jolie dhe Brad Pitt e zotëronin së bashku nga viti 2008 deri në vitin 2021. Pikërisht aty, në vitin 2014, ata kurorëzuan martesën e tyre.
Konflikti ligjor nisi në shkurt të vitit 2022, pasi Pitt pretendoi se shitja e 50% të aksioneve të Jolie te grupi Stoli ishte bërë në mënyrë të paligjshme. Aktori pretendonte se ish-bashkëshortja e tij nuk kishte të drejtë të shiste pjesën e saj pa miratimin e tij.
Nga ana tjetër, avokatët e Jolie kundërshtuan pretendimet, duke thënë se mes tyre nuk ekzistonte një marrëveshje që kërkonte miratimin e ndërsjellë për shitjen e aksioneve.
Sipas ekipit ligjor të aktores, Pitt kishte qenë i interesuar të blinte pjesën e saj, por kishte kërkuar që Jolie të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti, gjë që kishte bërë që negociatat të dështonin.
Çështja u bë gjithnjë e më e ndërlikuar, me të dyja palët që kërkonin komunikime private dhe dokumente financiare. Gjyqi ishte planifikuar të niste më 4 gusht 2027, por marrëveshja e fundit i dha fund përplasjes përpara se çështja të shkonte në gjykatë.
Beteja ligjore nxori në dritë detaje të divorcit
Përplasja rreth Château Miraval solli gjithashtu në vëmendje disa prej detajeve më të dhimbshme të ndarjes së çiftit.
Në vitin 2022, Angelina Jolie bëri publike akuza për një incident të pretenduar gjatë një fluturimi privat familjar në vitin 2016, nga Franca drejt Kalifornisë. Ajo pretendoi se Pitt kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe fëmijëve gjatë udhëtimit. Ekipi i aktorit i ka mohuar këto akuza.
Në një dokument ligjor të vitit 2024, avokatët e Jolie pretenduan se sjellja e dhunshme e Pitt kishte nisur shumë përpara incidentit të vitit 2016. Sipas tyre, kjo ishte një nga arsyet që e shtyu aktoren të shiste pjesën e saj në kantinën e verës, në përpjekje për të siguruar pavarësinë financiare.
Hetimet e FBI-së dhe të Departamentit të Shërbimeve për Fëmijët dhe Familjen në Los Angeles nuk rezultuan në ngritjen e akuzave penale ndaj Pitt.
Fëmijët kanë hequr mbiemrin e të atit

Marrëveshja për kantinën e verës vjen në një moment kur marrëdhënia e Brad Pitt me disa prej fëmijëve të tij duket se është ftohurgjithnjë e më shumë.
Vajza e tyre më e vogël, Vivienne, ka marrë së fundmi miratimin ligjor për të hequr mbiemrin Pitt dhe tashmë njihet si Vivienne Marcheline Jolie.
Edhe fëmijët e tjerë kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm. Maddox, Zahara dhe Shiloh kanë ndryshuar ligjërisht mbiemrat, duke zgjedhur të përdorin vetëm mbiemrin Jolie.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë gjashtë fëmijë së bashku: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Vivienne e Knox.
Ish-çifti, i njohur dikur si “Brangelina”, u nda në vitin 2016, kur Jolie paraqiti kërkesën për divorc. Procesi i divorcit u mbyll në dhjetor 2024, pas më shumë se tetë vitesh.
Me marrëveshjen e fundit për Château Miraval, duket se një tjetër kapitull i gjatë dhe i trazuar i historisë së tyre ligjore ka marrë fund./k.m
