Last Updated on 26/11/2026 by Anisa
Pas përjashtimit nga grupi parlamentar i socialistëve, Elisa Spiropalit i është ndryshuar edhe vendi ku do të qëndrojë në Kuvend, duke e çuar në fund të sallës, në krahë me deputetët e opozitës, dhe ‘viktimën’ tjetër të përplasjeve të brendshme në PS, Marjana Koçeku. Siç shihet nga fotot, Spiropali, e cila më herët qëndronte në krahë të veteranëve të PS, si Blendi Klosi dhe Lindita Nikolla, tashmë do të duhet që të qëndrojë në fund të sallës.

Ditën e djeshme, pavarësisht përjashtimit nga grupi parlamentar, Elisa Spiropali, u shpreh në një konferencë për mediat, se do të vijojë të bëjë beteja brenda partisë, dhe se askush nuk mund të ndalojë që të takojë dhe mbështetësit e kësaj force politike. Deri tani deputetja ka zgjedhur që të mos shkojë në seancën plenare, ku pritet diskutimi nen për nen i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm.

Dje deputetja socialiste shprehu ambicien për të garuar për kreun e Partisë Socialiste, pasi sipas saj pas 17 vitesh, lidershipi ka nevojë për ndryshim.
“Nuk e di a më do apo s’më do Edi Rama. Di vullnetin tim. Di që më duan socialistët, se kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Kam bërë beteja shumë të vështira, jo vetëm në Kuvend përballë opozitës. Jam e majtë, progresiste e bindur. Nëse duan të bëjmë një garë popullariteti, të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm. Kemi statutin, por nuk është as Bibël dhe as Kuran.
Nuk heq dorë nga mandati. Kam punuar jo vetëm për veten, por që të marrin vota edhe të tjerë. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, në Kukës, në Shkodër. S’e kam problem ta përfundoj karrierën time politike. I detyrohem forcës sime politike, e dua atë forcë. S’kanë lidhje me ato vendimmarrje. Sfida është kjo, të hapet gara në PS. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë mund të garojnë në PS. Pse, kush është i pazëvendësueshëm?”, tha ajo.
