Last Updated on 26/11/2026 by Anisa
Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare për shkak të një arresti kardiak mjeku i njohur dhe ish-deputeti i PS, Ylli Ziçishti.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një reagimi në rrjetet sociale.
“U kujdes gjithë jetën për shëndetin e të tjerëve, por sot zemra i pushoi përgjithmonë mjekut të madh dhe kolegut të veçantë Ylli Ziçishti. U prehsh në paqe Ylli ynë”, shkruan Balla.
Ziçishti ka qenë një emër i njohur në fushën e mjekësisë, ndërsa ka pasur edhe angazhim në politikë. Ai ka shërbyer si deputet i Partisë Socialiste gjatë legjislaturës 2013–2017.
Ziçishti, me origjinë nga Devolli, u diplomua për mjekësi në vitin 1973 dhe u specializua në kirurgjinë e përgjithshme dhe vaskulare në Tiranë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Karrierën e nisi duke shërbyer në Tepelenë, përpara se të punonte për 16 vjet si Shef i Shërbimit të Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë.
