Nesër përfundon afati që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, Hashimit Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të njoftojë apelimin e vendimit dënues të gjykatës së shkallës së parë
Tashmë, avokatët e katërshes së UÇK’së, kanë bërë të ditur se ata do të kundërshtojnë dënimin e ish-udhëheqësve, pasi që të njëjtët, i kanë vlerësuar dënimet si të padrejta.
Përveç tyre, nga ana tjetër, është edhe Prokuroria e Speciales, ajo që po ashtu ka paralajmëruar mundësinë e apelimit. Porse,ende s’është bërë e ditur se nëse prokuroria ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës.
Në rast të apelimit, Gjykata e Apelit do t’i shqyrtojë pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e aktgjykimit, pa e përsëritur procesin gjyqësor në tërësi.
Sa i përket këtij procesi, nuk ka afat të caktuar se kur pritet të përfundojë, megjithatë, zëra nga njohës të fushës kanë paralajmëruar se procesi në Apel, mund të zgjasë rreth një vit.
Ndryshe, dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në shtator ngjalli reagime e kundërshtime të shumta. Të njëjtat u përkthyen në protesta masive për disa ditë rresht.
Gjatë këtyre zhvillimeve, ishte edhe ideja e ndryshimit të Ligjit të Speciales. Ky ligj u kërkua të miratohej në Kuvend nga protestuesit, të cilët, paralajmëronin edhe forma të tjera të protestës përveç atyre paqësore në rast të mos votimit të ligjit.
Ligji fillimisht u votua, porse ndërkohë, u kërkua kthimi i tij në Kuvend, gjë që u bë me vendim të Presidentes. Një draft i ri lidhur me këtë ligj është paralajmëruar se së shpejti do të dërgohet në Kuvend për miratim.
Nga Bashkimi Evropian kanë thënë për mediat e Kosovsë se presin që të konsultohen për çfarëdo nisme për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka thënë se mirëpret gatishmërinë e BE-së për konsultime rreth ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke i ftuar përfaqësuesit e BE-së në konsultimet që do të zhvillohen sot./ad
