Të jesh beqare, të kesh kimi me dikë dhe të mos duash asgjë serioze tingëllon si një kombinim ideal. Por çfarë ndodh kur personi me të cilin dëshiron të kalosh pak kohë ka qenë dikur interesi romantik a.k.a fiksimi i shoqes tënde më të mirë?
Në teori, të gjithë jemi të rritur dhe kemi të drejtë të bëjmë zgjedhjet tona. Në praktikë, gjërat mund të bëhen shumë më të ndërlikuara, sidomos kur bëhet fjalë për të njëjtin grup miqsh, pushime të përbashkëta dhe marrëdhënie që zgjasin prej vitesh.
Një lexuese i është drejtuar ekspertes së Bustle për këshilla, pasi një flirt i papritur rrezikon të prishë ekuilibrin e shoqërisë së saj.
Dilema: A është një takim i rastësishëm arsye për të rrezikuar miqësinë?
Prej tetë vitesh, një grup miqsh organizon pushime verore në një vilë buzë liqenit. Pesë vite më parë, njëra prej vajzave solli me vete një kolege pune, e cila me kalimin e kohës u bë pjesë e pandashme e shoqërisë.
Në fillim, mes saj dhe njërit prej djemve kishte pasur ndjenja romantike. Ata kishin provuar të krijonin diçka gjatë verës së parë, por ai i kishte bërë të qartë se preferonte të mbeteshin miq. Vajza ishte lënduar, por me kalimin e kohës marrëdhënia e tyre ishte normalizuar. Sot, ajo është në një lidhje tjetër dhe duket se nuk ka më asnjë problem me të kaluarën.
Por këtë verë, situata mori një kthesë të papritur.
Pas përfundimit të një lidhjeje katërvjeçare, autorja e letrës u afrua më shumë me djalin dhe të dy përfunduan duke kryer marrëdhënie seksuale. Ajo e përshkruan si një person argëtues, flirtues dhe me të cilin kalon shumë mirë.
Kur ua tregoi dy prej shoqeve më të ngushta, mes tyre edhe vajzës që i kishte prezantuar, reagimi nuk ishte aspak ai që priste. Shoqja e saj dukej e shqetësuar, ndërsa pjesa tjetër e grupit kishte frikë se kjo histori mund të prishte atmosferën e pushimeve.
Për t’i qetësuar, ajo u premtoi se ishte një incident i izoluar dhe se nuk do të përsëritej. Gjërat u kthyen në normalitet, por flirtimi mes saj dhe djalit vazhdoi.
Disa javë më vonë, ai e ftoi për të dalë për pije. Tani ajo gjendet përballë një dileme: ta pranojë ftesën dhe të rrezikojë të lëndojë shoqen, apo të heqë dorë nga një histori që mund të jetë thjesht një aventurë pa shumë rëndësi?
“U lidha me dikë pa e ditur që ishte ish-i i shoqes sime”:
Përgjigjja e ekspertes: Pyet veten çfarë kërkon vërtet
Sipas ekspertes, pyetja e parë që duhet t’i bëjë vetes është: Çfarë shpreson të fitosh nga një takim vetëm me të?
Mund të duket sikur miqtë po e teprojnë, por shqetësimi i tyre nuk është domosdoshmërisht një përpjekje për ta gjykuar apo kontrolluar. Ata mund të jenë duke menduar për pasojat që kjo histori do të ketë në marrëdhëniet e të gjithëve.
A është ajo vërtet e përgatitur për mundësinë që njëri prej tyre të mos ftohet më në pushimet e ardhshme? A ia vlen të lëndojë një shoqe për një takim të dytë me dikë që nuk duket se kërkon një lidhje serioze?
Ekspertja thekson se, nëse ajo dëshiron vetëm diçka të rastësishme, mund të gjejë një person tjetër me të cilin të kalojë mirë, pa krijuar kaq shumë tension brenda grupit.
Kjo nuk do të thotë se duhet t’i kërkojë leje shoqes për jetën e saj romantike. Ajo është e lirë të marrë vendimet e veta. Por liria personale nuk do të thotë se duhet të shpërfillë ndjenjat e njerëzve që ka pranë.
A ka të drejtë shoqja të ndihet xheloze?
Ndoshta jo në kuptimin që mund të vendosë se me kë duhet apo nuk duhet të dalë dikush tjetër. Megjithatë, kjo nuk e bën automatikisht të pavlefshme mënyrën se si ndihet.
Edhe kur një reagim na duket i tepruar, mund të përpiqemi ta kuptojmë. Njerëzit kanë ndjeshmëritë e tyre dhe ndonjëherë një situatë që për ne duket krejt e parëndësishme, për dikë tjetër mund të jetë e vështirë.
Ekspertja sugjeron se, në disa raste, të heqësh dorë nga një flirt mund të jetë një çmim i vogël për të mos lënduar një person që e konsideron të rëndësishëm.
Për më tepër, një histori e tillë mund të ndikojë te gjithë grupi. Miqtë do të gjenden në situatën ku duhet të vëzhgojnë flirtet, shikimet dhe aludimet mes dy personave, duke u përpjekur të shmangin momentet e sikletshme.
Pra, edhe nëse marrëdhënia është krejt rastësore për dy protagonistët, pasojat mund të mos jenë aq të rastësishme për pjesën tjetër të shoqërisë.
Po sikur të mos jetë thjesht një flirt?
Ekspertja ngre edhe një mundësi tjetër: ndoshta ajo po e bind veten se kjo histori është vetëm seks dhe argëtim, ndërsa në të vërtetë shpreson që të zhvillohet në diçka më shumë.
Dhe kjo është krejt e kuptueshme. Kur kalon shumë kohë me dikë, keni kimi dhe ndiheni mirë bashkë, është e lehtë që një marrëdhënie e rastësishme të fillojë të marrë një kuptim tjetër.
Problemi lind kur dy personat nuk janë në të njëjtën faqe. Njëri mund të fillojë të sillet si në një lidhje, ndërsa tjetri vazhdon ta shohë gjithçka si një aventurë pa angazhime.
Në këtë pikë, gjërat bëhen shumë më të ndërlikuara, sidomos kur përfshihet edhe një shoqëri e përbashkët.
Përfundimi: A ia vlen të rrezikosh një miqësi për një histori që mund të mos zgjasë?
Nëse ajo vendos të vazhdojë, ekspertja këshillon të jetë e sinqertë me veten dhe me djalin për atë që kërkon vërtet. Nuk ka nevojë të marrë miratimin e shoqeve, por duhet të jetë e vetëdijshme për pasojat e mundshme.
Fundja, nuk është gabim të ndjekësh dëshirat e tua. Por ndonjëherë duhet të pyesësh veten nëse një histori e caktuar ia vlen gjithë komplikimet që mund të sjellë.
Sidomos kur bëhet fjalë për një person që mund të mos jetë gati për asgjë serioze dhe që, në rastin më të keq, mund të mos të kthejë as një mesazh për ditë të tëra.
Ndoshta pyetja nuk është nëse ke të drejtë të dalësh me të, por nëse kjo histori ia vlen të rrezikosh një miqësi që ka zgjatur shumë më tepër se flirti juaj./mxh
