Nëndetëset bërthamore të Britanisë së Madhe do të kalojnë më pak kohë në mirëmbajtje dhe më shumë kohë në det, falë një investimi prej 8,0 miliardë paundësh (10,4 miliardë dollarë), që synon forcimin e kapaciteteve parandaluese bërthamore dhe gatishmërisë ushtarake të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Wes Streeting, deklaroi se kjo marrëveshje, të cilën ai e cilësoi si “vendimin më të madh të prokurimit të këtij parlamenti”, do të mundësojë modernizimin e objekteve të mirëmbajtjes dhe riparimit të nëndetëseve.
Thirrjet për përshpejtimin e mirëmbajtjes së nëndetëseve janë shtuar pasi “HMS Vengeance”, njëra prej katër nëndetëseve britanike që mbajnë raketa bërthamore “Trident”, përfundoi në fillim të këtij muaji një mision rekord prej shtatë muajsh.
Britania e Madhe mban gjithmonë në det të paktën një nëndetëse me energji bërthamore dhe të pajisur me raketa balistike bërthamore, për të mbrojtur vendin dhe aleatët e saj në NATO. Megjithatë, kohëzgjatja e misioneve është rritur për shkak të vonesave në rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e nëndetëseve të tjera të flotës.
Kontrata pesëvjeçare, e nënshkruar me gjigantin britanik të industrisë së mbrojtjes “Babcock”, pritet të krijojë rreth 3 000 vende pune me kualifikim të lartë, kryesisht në Plymouth, Gllasgou dhe Bristol. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, marrëveshja do të krijojë gjithashtu 2 500 mundësi për praktika profesionale dhe programe për të diplomuarit.
Streeting e bëri njoftimin gjatë një vizite në bazën detare HMNB Devonport, në Plymouth.
Në një intervistë për “Times Radio”, ai deklaroi se “sot po njoftojmë atë që, besoj, do të jetë vendimi më i madh i prokurimit gjatë këtij mandati parlamentar”./mxh
