Last Updated on 26/11/2026 by EL
Një detyrë e thjeshtë shkolle u kthye në një kujtim që i mbijetoi kohës. Në vitin 1967, 33 nxënës vendosën t’i shkruanin letra mbështetëse një ushtari amerikan të plagosur rëndë në Luftën e Vietnamit. Gati gjashtë dekada më vonë, djali i tij po përpiqet të gjejë autorët e letrave për t’i falënderuar personalisht.
Bëhet fjalë për Russell Jacobson, një sanitar të Marinës amerikane, i cili ishte plagosur 12 herë nga armët e zjarrit gjatë luftës. Ai ishte shtruar në një spital ushtarak, pasi kishte humbur edhe 12 nga miqtë e tij brenda pak orësh.
Për javë të tëra, Russell nuk fliste dhe refuzonte të hante apo të pinte ujë. Gjendja e tij ishte përkeqësuar aq shumë, sa pesha kishte rënë në rreth 36 kilogramë.
Në këtë periudhë të vështirë, një infermiere u përpoq ta ndihmonte përmes një nisme të veçantë. Ajo kërkoi ndihmën e motrës së saj, një murgeshë që punonte në shkollën katolike St. Ann në Gloucester, Massachusetts. Kjo e fundit u kërkoi 33 nxënësve t’i shkruanin ushtarit.
Fëmijët i dërguan letra plot përzemërsi, ku ndanin histori nga jeta e tyre e përditshme, i premtonin se do të luteshin për të dhe e ftonin t’i vizitonte pasi të shërohej. Çdo letër shoqërohej edhe me një fotografi të vogël të autorit.
Sipas familjarëve, këto mesazhe patën një ndikim të rëndësishëm te Russell, duke i dhënë shpresë në një periudhë kur po përballej me pasojat e rënda të luftës.
Tashmë, pas afro 60 vitesh, djali i tij, Dave Jacobson, ka nisur një kërkim të veçantë për të gjetur të gjithë 33 fëmijët që i shkruan të atit. Ai dëshiron t’i falënderojë për gjestin që, sipas familjes, la gjurmë të pashlyeshme në jetën e Russellit.
Deri tani, Dave ka arritur të kontaktojë 18 prej ish-nxënësve, si edhe murgeshën që organizoi nismën, e cila sot është 90 vjeçe. Për 15 personat e tjerë, kërkimet vazhdojnë.
Përmes një faqeje të posaçme në internet, të quajtur “The Letters from Gloucester”, ai ka publikuar letrat dhe fotografitë e ruajtura ndër vite, me shpresën se do të gjejë edhe autorët që ende mungojnë.
Për Dave, ky kërkim ka qenë gjithashtu një mënyrë për të zbuluar një pjesë të historisë së të atit, për të cilën në familje flitej rrallë. Letrat i treguan se, ndërsa ai përpiqej të mbijetonte pas traumave të luftës, 33 fëmijë që nuk e njihnin kishin menduar për të dhe e kishin konsideruar hero.
Një gjest i vogël, i bërë nga nxënës që nuk e dinin se sa shumë do të thoshte për marrësin, u kthye në një histori mirësie që vazhdon të bashkojë njerëz edhe pas gjashtë dekadash./et
