Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmitë e artistëve Özcan Deniz, Burcu Özberk dhe Deniz Çakır, të cilët u përfshinë në operacionin antidrogë të zhvilluar ndaj personazheve të njohur në Turqi. Të tre artistët, të cilët u liruan me masën e kontrollit gjyqësor dhe ndalim të daljes jashtë vendit, kanë mohuar kategorikisht përdorimin e lëndëve narkotike.
Në deklaratat e tyre para prokurorisë, ata kanë theksuar se nuk kanë konsumuar drogë, ndërsa kanë sqaruar se përdorin vetëm medikamente të përshkruara nga mjekët.
Aktorja Burcu Özberk, e cila u ndalua në aeroport pas mbërritjes në Stamboll nga Kajseria, deklaroi se angazhimet e shumta në xhirimet e serialeve nuk i lënë shumë kohë për të dalë gjatë mbrëmjeve.
“Zakonisht kam shumë xhirime për serialet televizive. Prandaj, lëviz nga puna në shtëpi dhe nga shtëpia në punë. Për këtë arsye, zakonisht nuk dal gjatë natës. Rrjedhimisht, nuk kam qenë dhe nuk do të jem në ambiente ku përdoren lëndë narkotike. Nuk përdor drogë apo substanca të tjera me recetë. Nuk i pranoj akuzat”, mësohet të ketë deklaruar aktorja.
Gjatë ndalimit, asaj iu sekuestrua edhe telefoni celular. Özberk kërkoi që pajisja të kontrollohej sa më shpejt, pasi në të kishte skenarë dhe materiale që lidhen me punën e saj. Ajo kërkoi gjithashtu që ekspertiza të kryhej nga një specialist i posaçëm përpara se telefoni t’i kthehej.
Edhe aktorja Deniz Çakır ka mohuar akuzat, duke sqaruar se përdor vetëm medikamente të përshkruara nga mjeku.
“Përdor telefonin me kartë e-SIM, ndaj nuk ka fjalëkalim për kartën SIM. Kam medikamente me recetë që i përdor. Përveç tyre, nuk kam konsumuar kurrë asnjë lloj droge. Gjithashtu, nuk njoh asnjë person që merret me shitjen e tyre”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë, këngëtari Özcan Deniz, i cili prej rreth 35 vitesh është pjesë e industrisë së muzikës, ka treguar se prej dy vitesh merr medikamente të përshkruara për shkak të një problemi me zemrën.
Artisti ka mohuar çdo lidhje me përdorimin apo shpërndarjen e lëndëve narkotike, duke shprehur edhe pakënaqësinë për ndalimin e tij.
“Absolutisht nuk përdor drogë dhe nuk kam qenë kurrë në të njëjtin ambient me persona që e konsumojnë atë. Nuk kam pasur asnjë lidhje, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me persona që shesin drogë apo ndërmjetësojnë në këtë aktivitet. Jam shumë i shqetësuar për faktin që u ndalova. Jam i bindur se kjo do të zbardhet nga analizat e gjakut dhe flokëve që kam kryer. Nuk kam konsumuar, shitur apo ndërmjetësuar në shitjen e lëndëve narkotike. Nuk i pranoj akuzat”, është shprehur këngëtari.
Operacioni u zhvillua më 25 nëntor, në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit, ku u lëshuan urdhër-arreste për 35 persona. Mes tyre ishin këngëtari Özcan Deniz, aktoret Deniz Çakır dhe Burcu Özberk, organizatori Erdal Bozkuş, si dhe disa personazhe të njohur të rrjeteve sociale.
Pas procedurave në polici, nëntë persona, përfshirë tre artistët, u liruan me masën e kontrollit gjyqësor dhe ndalim të daljes jashtë vendit. Në mesin e tyre ishin edhe Murat Ceylan, Ufuk Gündoğdu, Deniz Sözen, Murat Başoğlu, İbrahim Yılmaz dhe Onur Yüksel.
Ndërkohë, këngëtarja Ceylan Kaya u arrestua nën akuzën e pastrimit të parave. Po ashtu, DJ dhe producenti muzikor Burak Yeter, ndaj të cilit ishte lëshuar gjithashtu urdhër-arrest, u vu në pranga.
Sipas të dhënave të bëra publike, numri i personave të ndaluar në kuadër të këtij hetimi ka arritur në 25. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht çështjen./mxh
