Ylli italian i kinemasë po përjeton një rilindje të vonë në karrierën e saj, me një rol të spikatur në trilerin e mirënjohur për Vatikanin, «Konklava». Ajo flet për qetësinë e të qenit beqare, kënaqësinë e jetës në fermë dhe për çfarë do të thotë të jesh një «nepo baby».
Gaj Lodxh
Shumica e aktoreve të mëdha të kinemasë e kanë në një moment të karrierës së tyre një rol murgeshe. Është një lloj riti kalimi për aktoret, që zakonisht vjen në vitet e pjekurisë. Por Izabela Roselini e përmbushi këtë «detyrë» që në daljen e saj të parë në ekran, në moshën 24-vjeçare, në muzikalin «A Matter of Time» (1976), me regji të Vincente Minelit, ku luante përkrah nënës së saj, legjendës së kinemasë dhe tri herë fitueses së çmimit Oskar, Ingrid Bergman.
«Mamaja ime luante rolin e një konteshe ekscentrike, e cila ishte në prag të vdekjes. Ajo mendoi se njërën prej murgeshave që kujdeseshin për të mund ta luaja unë», kujton Roselini. «Meqë ngjanim shumë me njëra-tjetrën, mendoi se do të ishte interesante që kontesha të shihte tek unë pamjen e vet në rini, si në një lloj halucinacioni. Por besoj se ajo dëshironte edhe të më nxiste të bëhesha aktore, sepse e donte shumë aktrimin.» Ajo buzëqesh me ironi teksa kujton: «Por përpjekja nuk pati sukses.»
Pothuajse gjysmë shekulli më vonë, Roselini ka veshur sërish veladonin e murgeshës, këtë herë me një rezultat shumë më mbresëlënës, në trilerin «Konklava», me regji të Eduard Bergerit. Ajo interpreton motrën Agnes, një murgeshë të rreptë dhe vigjilente, e ngarkuar me mbikëqyrjen e shërbimeve dhe administrimin e rezidencës ku zhvillohet konklava për zgjedhjen e Papës. Për pjesën më të madhe të filmit, personazhi i saj qëndron në hije, pothuajse i padukshëm, derisa një fjalim i shkurtër, por tronditës, ndryshon rrjedhën e ngjarjeve.
«Unë luaj një hije», thotë ajo. «Kisha Katolike është shumë patriarkale. Kardinalët janë vetëm burra, por kjo nuk do të thotë se murgeshat janë të nënshtruara. Ato kanë një pushtet të madh. Ishte e rëndësishme të theksoja heshtjen e tyre, por kjo heshtje nuk duhet ngatërruar me pafuqinë. Jam rritur në Romë dhe kam ndjekur shkollën katolike. E dija si duhej ta interpretoja këtë rol, sepse e kisha përjetuar vetë atë realitet.»
Në moshën 72-vjeçare, Roselini është e kënaqur të pranojë role më të vogla, me më pak dialog, por me një ndikim të përqendruar. Gjatë përgatitjes për rolin e motrës Agnes, ajo kujtoi karrierën e saj të gjatë si modele dhe një këshillë që kishte marrë nga fotografi Riçard Ejvëdon.
«Ai më thoshte se, kur je modele, në të vërtetë je duke aktruar. Je si një yll i filmit pa zë. Modelet nuk flasin, por përcjellin emocione. Nuk është e nevojshme të kesh dialog për të qenë e pranishme. Edhe si Agnes, nuk kam shumë replika, por jam një prani e ndjeshme në film.»
Edhe pse Roselini nuk është shkëputur asnjëherë për një periudhë të gjatë nga ekrani, vitet e fundit karriera e saj aktoriale duket sikur ka marrë një hov të ri. Ajo është rikthyer në qendër të vëmendjes me role mbështetëse të spikatura në filma si «La Chimera», i Alis Rorvaherit, dhe «Joy», i Dejvid O. Rasëllit. Ndërkohë, zëri dhe theksi i saj i dallueshëm italo-amerikan janë dëgjuar edhe në filma të animuar, si «Marcel the Shell With Shoes On» dhe «The Incredibles 2».
«Edhe unë e ndiej këtë», thotë ajo, kur i përmend se karriera e saj duket se po përjeton një rikthim të heshtur, por të fuqishëm. «Mamaja ime vdiq në moshën 67-vjeçare, pra më e re se unë sot. Por ajo më kishte thënë se aktoret kalojnë ndonjëherë një periudhë rënieje në karrierë, kur nuk janë më të reja, por ende nuk konsiderohen të moshuara. Kjo ndodh zakonisht mes moshës 45 dhe 55, ose edhe 60 vjeç. Nuk është se nuk mund të luash më role dashurie, por këto histori nuk tregohen. Pastaj, kur plakesh, fillojnë të të ofrojnë sërish role.»
Në moshën e mesme, me filma si «Blue Velvet» dhe «Death Becomes Her» në karrierën e saj, Roselini ndjeu se rolet më tërheqëse po pakësoheshin, ashtu siç e kishte paralajmëruar Bergman. Kështu vendosi t’i rikthehej universitetit, duke ndjekur një rrugë krejt të ndryshme nga studimet e saj të hershme për dizajnin e kostumeve në Akademinë Italiane të Kostumit dhe Modës. Kësaj here iu përkushtua pasionit të fëmijërisë: botës së kafshëve.
«Mora një diplomë masteri në etologji, shkencën që studion sjelljen e kafshëve. Fillova të realizoja filma të shkurtër për këtë temë dhe të shkruaja monologë. Kështu krijova një karrierë paralele me aktrimin.» Ajo buzëqesh. «Por më pas aktrimi u kthye përsëri në jetën time.»
Nuk ishin vetëm rolet kryesore që u pakësuan për Roselinin në të dyzetat. Edhe karriera e saj si modele, veçanërisht kontrata që e bëri të famshme si imazhi i markës së kozmetikës «Lancôme», pësoi një goditje. Në moshën 43-vjeçare, drejtuesit e kompanisë i komunikuan se ishte tepër e moshuar për të përfaqësuar markën. Përfundimisht, kontrata nuk iu rinovua.
«Arsyetimi që më dhanë në atë kohë ishte se reklamat u drejtohen ëndrrave dhe njerëzit ëndërrojnë të jenë të rinj», thotë ajo. «Por nuk më dukej se kjo ishte ëndrra kryesore e njerëzve. Kur pyesja miqtë e mi nëse dëshironin të mbeteshin përgjithmonë të rinj, përgjigjja ishte jo. Studimet e marketingut tregonin se gratë preferonin një krem kundër plakjes të reklamuar nga një grua 42-vjeçare dhe jo nga një 20-vjeçare, por kompanitë nuk i merrnin parasysh këto të dhëna. Në fillim pati reagime nga disa klientë, të cilët u ndien të fyer nga largimi im. Mendova se ndoshta kompania do të më kthente një ditë. Por kaluan 20 vjet.»
Në vitin 2016, në moshën 63-vjeçare, Roselini u befasua kur mori një telefonatë nga «Lancôme», me ftesën për t’u rikthyer si imazhi i markës.
«Ndryshimi është se tani drejtuesit janë gra. Ato e kuptojnë se ideja e përdorimit të makijazhit vetëm si mjet joshjeje është tepër kufizuese. Makijazhi është për të gjithë. Ai është bërë më gjithëpërfshirës dhe përfaqëson edhe një formë krijimtarie. Kur më telefonuan, i pyeta: Nëse dëshironi thjesht një grua të moshuar për të treguar se jeni gjithëpërfshirës, pse nuk telefononi Helen Mirrenin ose Meril Stripin? Me mua do të rikthehej edhe polemika e dikurshme, sepse njerëzit do të kujtonin se nuk ma rinovuat kontratën. Por ata më thanë se mund ta përfaqësoja më mirë këtë ndryshim shoqëror, pikërisht sepse i kisha përjetuar të dyja anët e tij.»
Ajo kujton me njëfarë kënaqësie edhe ironinë e rolit të saj në filmin «Death Becomes Her», satirën e Robert Zemeckis për obsesionin e Hollivudit ndaj rinisë. Në atë film, Roselini interpretonte një tregtare misterioze të rinisë së përjetshme, pak kohë përpara se të humbiste kontratën me «Lancôme».
«Isha shumë e kënaqur që mora pjesë në atë film», thotë ajo, ndërsa kërkon telefonin për të më treguar një fotografi në Instagram të një modeli arti për thonjtë, krijuar në nderim të filmit.
Nuk është hera e fundit që Roselini, e cila është mjaft aktive në Instagram, i drejtohet aplikacionit gjatë intervistës. Profili i saj është një shpërthim ngjyrash dhe gjallërie, ku fotografitë e kafshëve ndërthuren me imazhe të veshjeve elegante dhe momente nga jeta e saj e përditshme.
E pyes nëse e ka parë filmin horror «The Substance», të regjisores Korali Fargea. Më duket si një version bashkëkohor i «Death Becomes Her», që i çon në ekstrem shqetësimet për mënyrën se si Hollivudi i largon gratë e moshuara nga ekranet, duke i shtyrë drejt një bote edhe më të dhunshme e groteske.
Fytyra e saj ndriçon menjëherë.
«Është i shkëlqyer! Më pëlqen zemërimi i tij feminist dhe mënyra si ndërthuret me humorin.»
Ajo shpreh admirim edhe për dy aktoret kryesore, Demi Murin – «Gjithmonë kam menduar se ajo përfaqëson idealin e rinisë së përjetshme, por njëkohësisht është shumë e mençur dhe e vetëdijshme» – dhe Margaret Kuallin, për të cilën sapo ka mësuar se, ashtu si ajo vetë, vjen nga një familje artistësh.
«Mbeta e mahnitur nga ajo aktore e re që luante dy personazhe. Më bëri përshtypje mizoria që shfaqej në fytyrën e saj kur kthehej në vrasëse. Pastaj dikush më tha se ajo ishte vajza e Andi Mekdauellit», tregon Roselini. «Dhe u ndjeva krenare, në njëfarë mënyre. Menjëherë! Ne vajzat!»
Kjo është një hyrje e qartë drejt një pyetjeje delikate, që mund të ngjallë reagime të ndryshme te fëmijët e personazheve të famshëm. Si vajza jo vetëm e Ingrid Bergmanit, por edhe e regjisorit të njohur italian të neorealizmit, Roberto Roselini, a ndihet ajo e bezdisur nga debati rreth etiketimit «nepo baby»?
Ajo rrudh vetullat dhe më kërkon t’ia përsëris shprehjen. Pas një çasti, qesh.
«Nepo, nga nepotizmi? Kjo është shumë qesharake!»
Ndoshta termi nuk është aq i përhapur sa mendoja.
Megjithatë, ajo ka ndjenja të përziera për këtë çështje. Të qenit vajza e dy figurave të mëdha të kinemasë ishte njëkohësisht privilegj dhe barrë në fillimet e karrierës së saj.
«Sigurisht që të hap dyert, sepse njerëzit janë kureshtarë të të shohin. Por nuk jam e sigurt nëse ishte vërtet një avantazh. Gjykimi ndaj teje është shumë më i ashpër dhe nuk të jepet koha e nevojshme për t’u rritur.»
Ajo kujton rolin e parë të rëndësishëm në një film, tre vjet pas paraqitjes së saj të shkurtër në «A Matter of Time». Ishte «The Meadow», i vitit 1979, një dramë romantike me tone socialrealiste, realizuar nga vëllezërit regjisorë italianë Paolo dhe Vitorio Taviani. Projekti kishte ambicie të mëdha: vëllezërit sapo kishin fituar Palmën e Artë në Festivalin e Kanës me filmin «Padre Padrone». Megjithatë, kritikat, veçanërisht ato në Itali, nuk qenë aspak të favorshme.
«Nuk ishte një film i keq dhe as unë nuk kisha luajtur keq, të paktën kështu mendoj tani, kur e shoh me largësi. Por pritshmëritë ishin të mëdha dhe kritikat ishin torturuese. Në një moment thashë me vete: Nuk do të bëhem aktore.»
Pas një paraqitjeje të shkurtër si vetvetja në komedinë e Roberto Beninjit të vitit 1980, «In the Pope’s Eye», ajo e mbajti këtë vendim për gjashtë vjet. Ndërkohë, iu përkushtua modelingut dhe jetës personale, e cila mori një rrjedhë të ndërlikuar.
Martesa trevjeçare me regjisorin Martin Skorceze, e cila përfundoi në vitin 1982, nuk e nxiti të rikthehej në kinema. Edhe martesa e dytë, me modelin Jon Videman, ishte jetëshkurtër, por nga ajo erdhi në jetë vajza e saj, Elettra. Ajo ndoqi fillimisht traditën familjare të modelingut, ndërsa më vonë iu drejtua shkrimit për gastronominë.
Elettra lindi më pak se një vit përpara se Ingrid Bergmani të ndërronte jetë nga kanceri i gjirit, në vitin 1982. Mes dhimbjes së humbjes së nënës dhe vështirësive të mëmësisë së re, Hollivudi trokiti sërish në derën e saj. Kur iu ofrua roli në filmin amerikan «White Nights», të vitit 1985, Roselini më në fund ndjeu se ishte gati të merrte në dorë karrierën e aktrimit, ashtu siç kishte dëshiruar nëna e saj.
Ajo kujton: «Mamaja më thoshte: Është qesharake që nuk po përpiqesh të bëhesh aktore vetëm sepse ke frikë se do të të krahasojnë me mua. Në fillim do të të krahasojnë me mua, por pastaj do të më harrojnë. Dhe kishte të drejtë. Megjithatë, në fillim ishte e vështirë.»
Kur flet për prindërit e saj, Roselini nuk e fsheh krenarinë. Ajo i rikthehet me kënaqësi filmave të tyre dhe tregon se ende ruan e përdor disa prej bizhuterive që nëna kishte mbajtur gjatë xhirimeve të «Journey to Italy», dramës së njohur martesore që Ingrid Bergmani dhe Roberto Roselini realizuan së bashku, kur vajza e tyre ishte ende shumë e vogël.
E pyes se në çfarë moshe kishte kuptuar se nëna e saj ishte një yll i madh i kinemasë. Thotë se kjo vetëdije erdhi gradualisht.
«Kur je e vogël, nuk e kupton. Mendoja se prindërit e mi ishin thjesht njerëz të famshëm, e dini? Mbaj mend që shkoja në shkollë dhe i pyesja shoqet: A është mamaja ime aq e famshme sa Xhoan Kraford? Po sa Greta Garbo? Nuk e kuptoja vërtet.»
Edhe vajza e saj u rrit duke parë fytyrën e nënës nëpër reklama, megjithëse fillimisht nuk e lidhte atë me famën.
«Kur fillova të shfaqesha në reklamat e Lancôme, ato ishin kudo, në çdo aeroport. Vajza ime shkonte në shkollë dhe ishte pesë ose gjashtë vjeçe. Në atë kohë, fëmijëve u mësonin mbiemrin dhe adresën, në rast se humbisnin. Mësuesit e pyetën Elettrën: Nëse humbet, çfarë do të bësh? Ajo u përgjigj: Do të ulem poshtë posterit të mamit dhe ajo do të më gjejë. Ajo mendonte se të gjitha reklamat ishin postera të nënave dhe baballarëve, që fëmijët të mund t’i gjenin nëse humbisnin.»
Roselini ndien keqardhje që asnjëri prej dy fëmijëve të saj nuk pati mundësinë të njihte gjyshërit. Në vitin 1993, ajo adoptoi edhe djalin e saj, Roberton. Megjithatë, filmat klasikë mund të shërbejnë ndonjëherë si një lloj albumi familjar.
«Kur vajza ime ishte rreth dhjetë vjeçe, më pyeti për gjyshen. I thashë: Prit, të ta gjej. Ndezëm televizorin dhe ja ku u shfaq ajo, në filmin “Anastasia”.»
Roli më i famshëm i Roselinit në ekran mbetet ai i këngëtares së keqtrajtuar të një klubi nate në filmin «Blue Velvet», të Dejvid Linçit, një makth surrealist i vendosur në periferinë amerikane. Ky film shënoi edhe fillimin e një lidhjeje pesëvjeçare me vetë regjisorin. Në mesin e viteve 1990, ajo ishte e fejuar për dy vjet me aktorin Geri Oldman, përpara se të ndaheshin.
Megjithatë, pas disa lidhjeve të tilla të njohura publikisht, prej 25 vjetësh ajo ka zgjedhur të jetojë pa partner. A ishte ky një vendim i vetëdijshëm për të mbetur beqare?
Ajo tund kokën.
«Mendoj se kështu rrodhën gjërat. Kisha fëmijë dhe ishte e vështirë të ndërtoja një marrëdhënie me një burrë që nuk ishte babai i tyre. Fillova të mendoja: Në rregull, do të kujdesem për fëmijët dhe, kur të rriten, do të jem e lirë të kem një partner. Por më pas zbulova, duhet ta them, qetësinë e madhe që të jep të qenit beqare.»
Ajo ndalon për një çast, sikur dëshiron t’i shijojë vetë fjalët.
«Nëse nuk do ta kisha përjetuar këtë, nuk besoj se do të kisha mundur të bëja gjithçka që kam bërë. Kam lirinë të lëviz.»
«Ndoshta, nëse do të kisha takuar dikë dhe do të isha dashuruar…», shton ajo, duke e lënë mendimin pezull. «Por nuk kërkova një partner vetëm që të mos isha vetëm, sepse në të vërtetë nuk isha vetëm. Kur je në një marrëdhënie, bëhesh shumë e prekshme ndaj uljeve dhe ngritjeve emocionale të personit tjetër. Kështu unë arrita të ruaja një ekuilibër dhe një përqendrim që më lejuan të studioja e të merrja një diplomë masteri në të pesëdhjetat. Munda t’i rikthehesha asaj që kisha dëshiruar të bëja që kur isha 14 vjeçe.»
Kthehemi sërish te diploma e saj në etologji, të cilën Roselini e vuri në praktikë në vitin 2013, kur bleu dhe filloi të administronte një fermë prej 28 hektarësh, rreth 100 kilometra larg qytetit të Nju Jorkut, në Long Ajlënd.
Fermë komunitare, e orientuar drejt ruajtjes së natyrës, «Mama Farm» është një hapësirë ku rriten shpendë, dele dhe dhi, por kafshët nuk theren. Ideja lindi gjatë udhëtimeve të fundjavës në fshat, që Roselini bënte me fëmijët e saj.
«Më pas u shfaq mundësia për të blerë një copë tokë. Dikush më sugjeroi: Pse nuk e blen dhe nuk krijon një fermë, duke ia hequr mundësinë një ndërtuesi për ta shfrytëzuar? Dhe kështu bëra. Ishte një përzierje paditurie dhe optimizmi. Nuk e kisha idenë se sa e vështirë ishte. Madje, vazhdon të jetë shumë e vështirë.»
Ajo qesh.
«Por nuk kam aq shumë dele. Nuk dua të vdes dhe fëmijët e mi të mbeten duke pyetur: O Zot, çfarë do të bëjmë tani me 5000 dele?»
Jeta e Roselinit është një ndërthurje e familjes, bujqësisë, kinemasë dhe pasioneve të tjera të veçanta. Ajo është veçanërisht e emocionuar për nisjen e turneut të saj me shfaqjen teatrale monologjike «Buzëqeshja e Darvinit», të cilën e ka shkruar vetë dhe që trajton shprehjen e emocioneve te njerëzit dhe kafshët. Turneu do të nisë në Francë.
Për dikë që për shumë vite ka qenë imazhi i produkteve kundër plakjes, Roselini është sot një nga zërat më të qetë në mbrojtje të plakjes natyrale.
«E dini, me kalimin e viteve të dalin rrudhat, shton në peshë dhe humbet një pjesë të bukurisë së dikurshme. Kjo është e vërtetë», thotë ajo. «Por askush nuk flet për lirinë që vjen bashkë me këtë moshë. Madje, më shumë se liri, do të thosha lehtësia. Kur je e re, ke shumë gjëra për të provuar. Duhet të dëshmosh se je inteligjente, se je e pavarur financiarisht, se je një prind i mirë. Ka kaq shumë detyrime. Por kur plakesh, nuk ke më nevojë t’i provosh asgjë askujt. Nuk e di nëse jam aq inteligjente apo jo. Unë jam kjo që jam. Fillon të mendosh: Nëse nuk bëj tani atë që dua, ndoshta nuk do ta bëj kurrë. Dhe atëherë jeta bëhet shumë më argëtuese.»
