Përgatiti: Leonard Veizi
Një vendim diplomatik që synonte t’u jepte fund përplasjes mes arabëve dhe hebrenjve në Palestinë, por që do të shndërrohej në pikënisjen e një konflikti të gjatë, pasojat e të cilit vazhdojnë edhe sot.
Më 29 nëntor 1947, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 181, një dokument historik që rekomandonte ndarjen e Palestinës, në atë kohë nën administrimin britanik, në dy shtete të pavarura: një arab dhe një hebre. Për qytetin e Jeruzalemit parashikohej një status i veçantë ndërkombëtar, jashtë sovranitetit të të dy shteteve.
Për të kuptuar rëndësinë e këtij vendimi, duhet kthyer disa dekada pas. Pas Luftës së Parë Botërore, Perandoria Osmane u shpërbë dhe Palestina kaloi nën administrimin britanik, në kuadër të një mandati të miratuar nga Lidhja e Kombeve në vitin 1922. Gjatë kësaj periudhe, në territor u shtuan tensionet ndërmjet popullsisë arabe vendase dhe komunitetit hebre, i cili po rritej edhe për shkak të emigracionit, veçanërisht nga Evropa, ku antisemitizmi dhe më pas përndjekjet naziste kishin krijuar një krizë të jashtëzakonshme për hebrenjtë.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces kishte luajtur edhe Deklarata e Balfurit e vitit 1917, përmes së cilës qeveria britanike kishte shprehur mbështetjen për krijimin në Palestinë të një vendbanimi kombëtar për popullin hebre. Deklarata, megjithatë, kishte lënë të hapur një kontradiktë të madhe: si mund të realizohej ky projekt pa cenuar të drejtat civile dhe fetare të popullsisë johebreje që jetonte aty?
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, çështja palestineze u bë gjithnjë e më e vështirë për Britaninë. Kryengritjet, përplasjet e armatosura, emigracioni hebre dhe kriza politike e kishin bërë administrimin pothuajse të pamundur. Në vitin 1947, Londra vendosi t’ia kalonte çështjen Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në prill të vitit 1947 u krijua Komiteti i Posaçëm i OKB-së për Palestinën, i përbërë nga përfaqësues të 11 shteteve. Pas disa muajsh hetimesh dhe konsultimesh, shumica e anëtarëve të tij rekomanduan ndarjen e territorit në dy shtete. Projekti parashikonte gjithashtu një bashkim ekonomik mes tyre, ndërsa Jeruzalemi, për shkak të rëndësisë së tij për tri fetë monoteiste, do të vendosej nën administrimin ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara.
Më 29 nëntor, propozimi u hodh në votim në Asamblenë e Përgjithshme. Rezultati ishte 33 vota pro, 13 kundër dhe 10 abstenime. Mes vendeve që mbështetën planin ishin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, dy fuqitë që, megjithëse përfaqësonin kampe të kundërta në rendin e ri botëror, në këtë çështje u gjendën në të njëjtën anë. Britania e Madhe abstenoi.
Plani i ndarjes i caktonte shtetit hebre rreth 56 për qind të territorit dhe shtetit arab rreth 43 për qind, ndërsa pjesa e mbetur përfshinte zonën ndërkombëtare të Jeruzalemit dhe Betlehemit. Kjo ndarje u kundërshtua nga udhëheqja arabe palestineze dhe nga shtetet arabe, të cilat e konsideronin të padrejtë që një popullsi hebreje, atëherë në pakicë, të merrte pjesën më të madhe të territorit. Nga ana tjetër, udhëheqja hebraike e pranoi planin, megjithëse jo pa rezerva lidhur me kufijtë e propozuar.
Vendimi i OKB-së nuk arriti të sillte paqen e parashikuar. Përkundrazi, menjëherë pas votimit shpërthyen përleshje të armatosura mes komuniteteve arabe dhe hebraike. Më 14 maj 1948, një ditë përpara përfundimit zyrtar të mandatit britanik, udhëheqësi i lëvizjes sioniste, David Ben-Gurion, shpalli krijimin e shtetit të Izraelit. Të nesërmen, lufta u zgjerua me ndërhyrjen e ushtrive të disa shteteve arabe.
Lufta e viteve 1948-1949 ndryshoi hartën politike të rajonit. Izraeli jo vetëm që u konsolidua si shtet, por mori nën kontroll një territor më të madh se ai që i ishte caktuar nga plani i ndarjes. Shteti arab palestinez, i parashikuar në rezolutë, nuk u krijua. Bregu Perëndimor kaloi nën administrimin e Jordanisë, ndërsa Rripi i Gazës nën administrimin e Egjiptit.
Për palestinezët, kjo periudhë mbeti e regjistruar në kujtesën historike si Nakba, që në arabisht do të thotë katastrofë. Rreth 750 mijë palestinezë u larguan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u kthyen në refugjatë, shumë prej të cilëve nuk arritën të ktheheshin më.
Ndërkohë, Jeruzalemi nuk mori kurrë statusin ndërkombëtar të parashikuar nga Rezoluta 181. Qyteti u nda pas luftës, me pjesën perëndimore nën kontrollin izraelit dhe pjesën lindore, përfshirë Qytetin e Vjetër, nën kontrollin jordanez. Në vitin 1967, gjatë Luftës Gjashtëditore, Izraeli pushtoi edhe Jeruzalemin Lindor.
Kështu, votimi i 29 nëntorit 1947, i menduar si një zgjidhje diplomatike për dy aspirata kombëtare që përplaseshin në të njëjtin territor, u bë një nga momentet themelore të historisë moderne të Lindjes së Mesme. Një rezolutë që parashikonte dy shtete, por që në praktikë solli krijimin e vetëm njërit prej tyre. Çështja palestineze mbeti e pazgjidhur, ndërsa Jeruzalemi vazhdoi të ishte një nga nyjat më të ndërlikuara të konfliktit.
