Përgatiti: Leonard Veizi
Mëngjesin e 28 nëntorit 1979, një avion i kompanisë ajrore Air New Zealand u nis nga Aeroporti i Oklandit drejt Antarktidës. Ishte fluturimi TE901, një udhëtim turistik rreth 11-orësh, i organizuar për t’u dhënë pasagjerëve mundësinë të shihnin nga ajri peizazhet e kontinentit të akullt. Në bord ndodheshin 237 pasagjerë dhe 20 anëtarë të ekuipazhit. Askush nuk e dinte se avioni nuk do të kthehej më.
Në orën 12:49, sipas kohës lokale, avioni tip DC-10 u përplas në shpatet e malit Erebus, në ishullin Ros. Goditja ishte fatale për të gjithë 257 personat që ndodheshin në bord. Lajmi tronditi Zelandën e Re. Përmasat e tragjedisë u bënë të qarta kur ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të lokalizonin rrënojat në terrenin e vështirë antarktik. Konfirmimi se nuk kishte të mbijetuar erdhi të nesërmen.
Për pasagjerët, fluturimi kishte nisur si një udhëtim i veçantë turistik. Air New Zealand kishte organizuar këto udhëtime drejt Antarktidës që prej vitit 1977 dhe ato ishin bërë mjaft popullore. Pasagjerët shijonin pamjet e kontinentit të bardhë, ndërsa ekuipazhi ndiqte itinerarin e planifikuar drejt stacionit amerikan Mek-Mërdo. Në orët e para të udhëtimit, gjithçka dukej normale. Avioni komunikonte me qendrën e kontrollit ajror dhe merrte udhëzime për afrimin drejt destinacionit.
Por në sistemin e navigimit fshihej një gabim që do të kishte pasoja fatale. Rreth katërmbëdhjetë muaj më parë, gjatë kompjuterizimit të itinerarit, një gabim në shënimin e koordinatave kishte ndryshuar drejtimin e fluturimit. Në mëngjesin e 28 nëntorit 1979, koordinatat u korrigjuan, por ekuipazhi nuk u njoftua për ndryshimin. Pilotët mendonin se po ndiqnin itinerarin e njohur, që kalonte mbi hapësirën e akullt të Gjirit Mek-Mërdo. Në të vërtetë, avioni ishte drejtuar drejt ishullit Ros dhe malit Erebus, një vullkan aktiv me lartësi 3794 metra.
Në orën 12:45, ekuipazhi njoftoi qendrën e kontrollit se avioni ndodhej në lartësinë 6000 këmbë dhe po zbriste më tej, duke fluturuar sipas kushteve të shikueshmërisë vizuale. Ky ishte komunikimi i fundit. Katër minuta e 42 sekonda më vonë, DC-10 u përplas në shpatet e malit. Përplasja nuk la asnjë mundësi mbijetese.
Pas zbulimit të rrënojave nisi operacioni i kërkim-shpëtimit dhe identifikimit, i njohur me emrin “Operacioni i Vonuar” (Operation Overdue). Kushtet në Antarktidë ishin jashtëzakonisht të vështira. Ekipet duhej të punonin në një terren të akullt, të çarë nga gremina, mes temperaturave të ulëta dhe rrezikut të vazhdueshëm. Operacioni zgjati disa javë. U gjetën mbetjet e viktimave dhe sendet personale të pasagjerëve. Në përfundim, 213 nga 257 viktimat u identifikuan; 44 të tjerët u varrosën në arkivole të përbashkëta.
Por tragjedia nuk përfundoi me operacionin e kërkim-shpëtimit. Në Zelandën e Re nisi një debat i ashpër për përgjegjësinë. Raporti i parë zyrtar, i publikuar në qershor 1980 nga kryeinspektori i aksidenteve ajrore Ron Çipindejl, e cilësoi si shkak të mundshëm të katastrofës gabimin e pilotit, duke vënë në dukje se avioni kishte zbritur nën lartësinë minimale të sigurisë. Ky përfundim shkaktoi pakënaqësi të madhe te familjarët e viktimave dhe në opinionin publik. U kërkua një hetim më i thelluar, që të mos kufizohej vetëm te veprimet e ekuipazhit.
Në prill të vitit 1981, gjyqtari Piter Mahon, i ngarkuar me drejtimin e Komisionit Mbretëror të Hetimit, publikoi raportin e tij pas 75 ditësh seancash dhe marrjes në pyetje të 52 dëshmitarëve. Ai hodhi poshtë përfundimin se përgjegjësia kryesore i takonte pilotëve dhe ia atribuoi katastrofën kompanisë Air New Zealand, duke evidentuar mangësi serioze në procedurat e saj dhe në mënyrën si ishte administruar informacioni për itinerarin. Mahon akuzoi gjithashtu drejtues të kompanisë se kishin mashtruar hetimin dhe kishin fshehur të dhëna.
Përfundimet e tij hapën një tjetër betejë, këtë herë në gjykata. Air New Zealand i kundërshtoi akuzat dhe Gjykata e Apelit, në dhjetor 1981, rrëzoi disa prej konstatimeve të Mahonit lidhur me sjelljen e drejtuesve të kompanisë, duke vlerësuar se ai kishte tejkaluar kompetencat dhe nuk kishte respektuar parimet e procesit të rregullt. Kështu, çështja e përgjegjësisë nuk u mbyll. Edhe sot, debati mbi rolin e ekuipazhit, gabimet e kompanisë dhe mangësitë e sistemit të kontrollit vazhdon të jetë pjesë e historisë së kësaj tragjedie.
Katastrofa e Erebusit mbetet aksidenti civil ajror më i rëndë në historinë e Zelandës së Re. Ajo zbuloi se një gabim në koordinata, një ndryshim i pakomunikuar dhe një zinxhir dështimesh administrative mund të çojnë në humbjen e qindra jetëve. Tragjedia nuk u shkaktua nga një çast i vetëm, por nga një varg vendimesh dhe neglizhencash që u ndërthurën deri në përplasjen fatale.
Më 28 nëntor, në Zelandën e Re përkujtohen 257 njerëzit që humbën jetën në atë fluturim. Emrat e tyre janë pjesë e një kujtese kombëtare që nuk lidhet vetëm me dhimbjen e familjeve, por edhe me përgjegjësinë e institucioneve për të nxjerrë mësime nga një katastrofë e tillë.
