Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka mbërritur në kryeqytet së bashku me delegacionin e Bashkimit Evropian. Në fokus të samitit janë reformat, Plani i Rritjes dhe integrimi ekonomik i vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian. Marta Kos është pritur nga kryeministri Edi Rama në Pallatin e Brigadave.
Takimi i nivelit të lartë zhvillohet nën temën “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”, ndërsa në qendër të diskutimeve do të jenë procesi i integrimit evropian, zbatimi i Planit të Rritjes (Growth Plan) dhe ecuria e reformave në vendet e rajonit.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor parashikon mbështetje të konsiderueshme financiare për vendet e rajonit, e kushtëzuar nga përmbushja e reformave dhe angazhimeve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Një tjetër prioritet është afrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian.
Sipas agjendës zyrtare, mbërritja e liderëve është parashikuar në orën 10:00, ndërsa në orën 10:30 do të mbahen fjalët hyrëse nga kryeministri Edi Rama dhe komisionerja Marta Kos. Në këtë fazë janë parashikuar edhe prononcimet për mediat.
Në orën 12:15 do të realizohet fotografia e përbashkët e liderëve pjesëmarrës, ndërsa në orën 12:30 Rama dhe Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
