Last Updated on 27/11/2026 by EL
Pamje tronditëse janë publikuar nga Marseja, ku tifozët e skuadrës franceze kanë sulmuar mbështetësit e ekipit bullgar Levski Sofia, përpara ndeshjes mes dy skuadrave në kuadër të Europa League.
Incidentet e dhunshme ndodhën në stadiumin “Velodrome”, përpara nisjes së takimit. Tifozët vendas u vërsulën ndaj atyre të skuadrës bullgare dhe i dhunuan, përpara se të ndërhynte policia. Pamjet e publikuara nga ngjarja kanë shkaktuar reagime të shumta.
Në njërën prej videove, disa tifozë të Levski Sofjes shihen teksa krijojnë një mburojë njerëzore për të mbrojtur një grua nga sulmi i tifozëve të Marsejës. Megjithatë, ajo nuk arrin t’i shpëtojë dhunës dhe goditet disa herë.
Për ngjarjen ka reaguar edhe drejtori ekzekutiv i Levski Sofjes, Daniel Borimirov, i cili kërkoi që ndeshje të tjera të mos zhvillohen në stadiumin “Velodrome”.
“Shpresoj që të mos zhvillohen më ndeshje të tjera në këtë stadium. Besoj se duhet të merren masa në mënyrë që ndeshjet të zhvillohen normalisht. Futbolli supozohet t’u sjellë gëzim njerëzve, jo të na bëjë të shohim skena të tilla.
Zyrtarët e UEFA-s nuk mund të qëndrojnë duarkryq dhe të vazhdojnë të lejojnë zhvillimin e ndeshjeve në kushte të tilla”, deklaroi Borimirov.
Ndërkohë, sipas Protothema, UEFA ka nisur një hetim për incidentet e dhunshme, ndërsa klubi francez i Marsejës rrezikon masa të rënda disiplinore.

