Last Updated on 27/11/2026 by Monika
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka komentuar platformën “Fol me Kryeministrin”, sa u takon rasteve të ardhura me adresim në institucionin që ai drejton.
Sipas Karakaçit, në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, janë dërguar 68 raste për ministrinë e tij, ku 34 ndër to kanë marrë adresim, ndërkohë që 34 janë ende në proces shqyrtimi.
Sipas ministrit, kemi të bëjmë me 36 mijë fatura të energjisë elektrike që do të falen pas marrjes së masave ligjore për inicimin e një ligji të posaçëm për të gjitha faturat me detyrime në kohën paraardhëse të qeverisë Rama, specifikisht në periudhën 2008-2013. Kjo pasi 68 rastet e dërguara në “FmK” kanë qenë pikërisht raste të lidhura me këtë problematikë të mbartur ndër vite, sipas Karakaçit.
Ai theksoi se grupi i punës që do të merret me vlerësimin e saktë të këtyre borxheve që do të falen është ngritur menjëherë dhe inkurajoi çdo qytetar që është i përfshirë në këtë mesele t’i drejtohet platformës për të adresuar problemin dhe për të përfituar.
Njoftimi i Karakaçit:
“Në platformën “Fol me Kryeministrin” kanë ardhur 68 raste që lidhen me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga këto, 34 raste tashmë kanë marrë adresim dhe 34 janë në proces shqyrtimi.
Një nga çështjet më të rëndësishme që është ngritur gjatë kësaj periudhe lidhet me disa detyrime dhe gjoba të vendosura për abonentët e energjisë elektrike gjatë periudhës 2008–2013. Unë kam ngritur menjëherë një grup pune për t’i vlerësuar këto detyrime. Kemi konstatuar që ato janë të padrejta dhe janë vendosur në mënyrë të gabuar ndaj këtyre klientëve. Dhe si rrjedhojë e këtyre ankesave, do marrim masa të menjëhershme ligjore që të iniciojmë një ligj të posaçëm për të falur këto detyrime.
Kemi të bëjmë me rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të periudhës 2008–2013, të cilat do të falen me miratimin e këtij ligji. Inkurajoj çdo qytetar që të vazhdojë të shkruajë tek platforma “Fol me Kryeministrin”, pasi unë besoj fuqimisht që nëpërmjet diskutimit dhe ngritjes së shqetësimeve kemi mundësi që të zgjidhim situatën, por edhe të marrim dijeni për çështje të caktuara që kanë shqetësim për qytetarët.
Faleminderit.”/Mxh
