Last Updated on 27/11/2026 by Monika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar gjatë foltores në Kamëz protestën e madhe të datës 28 nëntor.
Berisha cilësoi se opozita duhet të qëndrojë e bashkuar, pasi në këtë mënyrë del shumicë me distancë të madhe nga vendi i dytë, si në Tiranë, si në Kamëz, ku u mbajt ‘Foltorja’, ashtu dhe në tërë Shqipërinë.
Sipas Berishës, pati një eksperiment me situatë kafkiane për të përçarë forcën opozitare, por që sipas tij e rëndësishme është që spektri opozitar të mirëkuptohet dhe të bashkëpunojë ngushtë.
Sipas tij, misioni i opozitës është shpëtimi i Shqipërisë dhe për këtë dita e nesërme do të shndërrohet në ditën e nderimit më historik të flamurit kombëtar, nëpërmjet protestës madhështore që planifikohet të zhvillohet, theksoi ndër të tjera kryedemokrati.
“Janë zgjedhjet lokale përpara.
Opozita është shumicë në Tiranë, ju e keni parë, shumicë me distancë në Tiranë.
Shumicë me distancë në Kamëz.
Opozita duhet të bashkohet.
Dhe ne do bëjmë gjithçka si parti kryesore opozitare të mirëkuptohemi dhe të bashkëpunojmë me ta.
U bë një eksperiment. Pati armiq tanë, që menduan se pasi kishim qëndruar të pamposhtur në situatat më kafkiane, tani kujtuan se i erdhi koha për ta fshirë Partinë Demokratike dhe në vend se të luftonin Edi Ramën, hidhnin parulla kundër nesh.
Koha provoi se besonin një skenar serb.
Po skenari serb ishte krejt tjetër.
Koha provoi se në këtë periudhë, forca politike që është rritur më shumë se çdo forcë tjetër, është Partia Demokratike dhe kjo vetëm e vetëm për qëndrimet e saj të drejta, të ndershme, parimore që mbajti.
Ndaj dhe besimplotë në fitoren tonë dhe të opozitës shqiptare, në misionin tonë për shpëtimin e Shqipërisë, le të vazhdojmë në çdo përpjekje për ripërtëritjen e Partisë Demokratike, për bashkimin në të gjerë të mundshëm të opozitës shqiptare.
Nesër të shndërrojmë 28 Nëntorin në ditën e nderimit më të madh dhe historik të flamurit tonë kombëtar, flamur që në çdo qelizë të tij ka jetë të të rinjve, djemve, vajzave, burrave shqiptarë të rënë për liri.
Zoti e bekoftë flamurin tonë, zoti ju bekoftë ju, zoti e bekoftë Shqipërinë.”, u shpreh Berisha nga foltorja në Kamëz./Mxh
