Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë dhënë detaje të reja lidhur me aksionin e zhvilluar në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt të Kaçanikut, ku u sekuestruan rreth 136 kilogramë marihuanë dhe u arrestuan tre persona të dyshuar.
Në një komunikatë të përbashkët, këto dy institucione kanë bërë të ditur se aksioni është realizuar të premten, në kuadër të planit taktik të koduar “Kufiri 2”, pas hetimeve intensive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Sipas njoftimit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”./mxh
