Nga Eduard Zaloshnja
Tirana është bërë teatri i protestave të përditëshme qysh nga 1 qershori (në qytete të tjera ka patur vetëm disa protesta të rralla sporadike). Protestat kryeqytetase nuk kanë qenë thjesht antiqeveritare – ato kanë qenë në thelb kundër gjithë klasës aktuale politike. Dhe në një situatë të tillë, ku mbizotëron një frymë antisistem, është e natyrshme që të bjerë përkrahja elektorale për partitë aktuale në kryeqytet.
Në një sondazh që drejtova në fund të shtatorit në territorrin e Bashkisë Tiranë, të anketuarit u pyetën se si kishin votuar në zgjedhjet parlametare të viteve 2021 e 2025, si edhe për kë do të votonin nëse do të zhvilloheshin zgjedhje parlamentare së afërmi. Dhe duke ndërthurur përgjigjet e të anketuarve me të dhënat demografike të INSTAT-it, ndërtova garfikun e mëposhtëm për votimin parlamentar të rreth 500 mijë banorëve të rritur aktualë të Bashkisë Tiranë, përmes një ekstrapolimi të përafërt statistikor. Shifrat e ekstreapoluara të votimit më 2021 dhe 2025 nuk përputhen plotësisht me shifrat zyrtare të KQZ-së, ngaqë disa të rinj aktualë kanë qenë adoleshentë kur u zhvilluan ato zgjedhje (jo në moshë për votim), disa banorë të rritur të Tiranës janë larguar nga kjo botë apo nga Shqipëria, dhe disa të tjerë kanë arrdhur ndërkohë nga rrethe të tjera në Tiranë.
Grafiku demonstron qartë tkurrjen elektorale të partive aktuale në territorin e Bashkisë Tiranë nga 2021-shi deri më sot. Kështu, rreth 185 mijë banorë të rritur aktualë të Tiranës kanë votuar më 2021 për PS-në – vetëm 156 mijë votojnë sot për të. Rreth 184 mijë kanë votuar më 2021 për partitë e tjera – vetëm 164 mijë votojnë sot për to.
Aktualisht në territorin e Bashkisë Tiranë janë rreth 180 mijë banorë të rritur që nuk duan të votojnë për asnjë nga partitë ekzistuese. Thënë ndryshe, ata presin daljen e një partie të re që t’i meritojë votat e tyre. Por fatkeqësisht, deri më sot është shpallur krijimi i disa partive të reja, që kanë dalë si kërpudha pas shiut – pa rrënjë të forta e pa grupe drejtuese me peshë në opinionin publik.
Situata politike nuk ka qenë ndonjëherë më premtuese për daljen e një partie të re që mund t’i sfidojë elektoralisht partitë e vjetra. Por ja që s’po del…

