Një prej skeçeve të tij humoristike, që sot do të donte të mos e kishte realizuar në të njëjtën mënyrë, është ai kushtuar këngëtares Fifi. Bes Kallaku foli për këtë episod në “Live me Luizin”, ku pranoi se në atë kohë humori kishte kaluar kufijtë e masës dhe se sot nuk ndihet mirë kur e sheh atë performancë.
Aktori tregoi se bëhet fjalë për një numër të realizuar pas “Këngës Magjike”, ndërsa nuk ngurroi t’i kërkonte falje publikisht Fifit, edhe pse nuk e di nëse këngëtarja është ndjerë e prekur nga imitimi.
Gjatë rrëfimit, Besi kujtoi edhe një prej momenteve të skeçit, ku Mc Kresha shfaqej me një çantë përpara, nga e cila nxirrte një salçiçe. Sipas Kallakut, ky ishte një humor që sot, kur e rishikon, i duket i tepruar.
“Është një numër humoristik që e kemi bërë në post-Kënga Magjike, kemi bërë një këngë të Fifit dhe sa herë e shoh si video ndihem keq, pasi ishte shumë humoristik, por ishte jashtë masës. Ishte një moment që Mc Kresha mbante një çantë para dhe i nxjerr një salçiçe. I them Fifit ‘më fal’, sepse sa herë e shoh atë video, ndihem keq, ishte jashtë sensit të masës. Mbase Fifi nuk është ndjerë keq fare, por unë i kërkoj falje”, u shpreh Bes Kallaku./mxh
