Besiktasi i Turqisë akuzoi Policinë gjeorgjiane për përdorim force joproporcionale gjatë ndeshjes me Hapoel Beer Sheva të Izraelit, ku tifozët e Besiktasit shpalosën një banderolë në mbështetje të Palestinës.
Një ndeshje futbolli midis një skuadrës turke dhe asaj izraelite në Batumi të Gjeorgjisë u ndërpre nga dhuna, ndërsa UEFA pritet të vlerësojë ngjarjet.
Policia gjeorgjiane tha se 16 persona u arrestuan dhe tre oficerë “pësuan lëndime të ndryshme si rezultat i veprimeve të dhunshme të tifozëve” gjatë ndeshjes.
Policia akuzoi gjithashtu disa mbështetës se kanë hedhur karrige të stadiumit drejt forcave të sigurisë.
Besiktashi i Turqisë dhe Hapoel Beer-Sheva i Izraelit fillimisht ishin planifikuar të takoheshin në Stamboll, por me tensionet e larta midis dy vendeve për shkak të konfliktit izraelito-palestinez , UEFA vendosi ta zhvendosë ndeshjen në Gjeorgji për arsye sigurie.
Gjeorgjia mohon se policia është vendosur për shkak të mbështetjes së Palestinës
Gjatë ndeshjes së së enjtes, tifozët e Besiktas shpalosën një banderolë me mbishkrimin “Revoltë kundër pushtimit, liri për Palestinën”, valëvitën flamuj palestinezë dhe brohoritën slogane anti-Izrael.
Megjithatë, autoritetet gjeorgjiane këmbëngulën se nuk ndërhynë për shkak të shprehjes së mbështetjes së tifozëve për palestinezët.
“Ne i mohojmë kategorikisht këto raportime dhe theksojmë se veprimet e dhunshme dhe përleshjet fizike të tifozëve me policinë filluan përpara se të shfaqeshin flamujt dhe pankartat, ndërsa ata ende po marshonin drejt stadiumit”, tha Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë.
Nga ana tjetër, Besiktas akuzoi autoritetet për përdorim të “forcës joproporcionale” kundër tifozëve, dhe federata turke e futbollit dënoi “qëndrimet, sjelljet dhe veprimet e papranueshme të drejtuara ndaj mbështetësve të Besiktas brenda dhe jashtë stadiumit”.
Një punonjës i klubit të Besiktasit i tha agjencisë së lajmeve AFP se pesë tifozë turq u dërguan në spital për trajtim mjekësor.
Ndeshja u ndërpre për më shumë se gjysmë ore për shkak të dhunës në tribuna. Në fund, gjyqtari danez Morten Krogh vazhdoi ndeshjen, e cila përfundoi me fitoren 2 me 1 të Besiktas.
Lojtarët e Besiktasit refuzuan të shtrëngonin duart me homologët e tyre të Hapoelit, raportoi agjencia shtetërore turke Anadolu.
Ministrat e qeverisë turke ngushtojnë radhët me Besiktasin
Trazirat kanë shkaktuar një incident diplomatik midis Turqisë dhe Gjeorgjisë.
Burime turke treguan se Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, diskutoi përplasjet me homologun e tij gjeorgjian, Maka Botchorishvili.
Ndërkohë, Ministri turk i Sportit, Osman Askin Bak, dhe Ministri i Brendshëm, Mustafa Ciftci, i bënë jehonë akuzave të Besiktas për forcë “joproporcionale” të përdorur nga policia gjeorgjiane.
Në një postim në internet, Bak u zotua të vazhdojë “të mbrojë me vendosmëri të drejtat e sportit turk dhe të tifozëve tanë”.
Agjencia turke e lajmeve IHA raportoi se 16 tifozët e ndaluar të Besiktasit janë liruar në sajë të hapave diplomatikë dhe ligjorë të urdhëruar nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan .
Sipas Besiktas, Erdogan foli edhe me kryetarin e klubit, duke i thënë zyrtarit sportiv se po e monitoronte nga afër situatën./Mxh
