Last Updated on 29/11/2026 by Monika
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka prezantuar paketën e re ligjore në fushën e shëndetësisë, e cila përfshin katër projektligje që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe modernizimin e sistemit shëndetësor.
Gjatë aktivitetit “Shëndetësia drejt integrimit në BE 2030”, ku morën pjesë ekspertë evropianë, përfaqësues të industrisë farmaceutike, institucioneve dhe organizatave profesionale, ministrja u ndal veçanërisht te krijimi i shoqërisë publike MedAL.
Sipas Spahiut, kjo strukturë synon të garantojë një furnizim më të sigurt dhe të qëndrueshëm të institucioneve shëndetësore publike me barna dhe produkte mjekësore, përmes koordinimit të blerjeve, planifikimit të nevojave, menaxhimit të stokut dhe krijimit të rezervave strategjike.
“Për pacientin, rëndësi ka që bari i duhur të jetë i disponueshëm në kohën e duhur, me cilësinë e kërkuar dhe me një kosto të përballueshme për sistemin”, u shpreh ministrja.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e sektorit privat, Spahiu theksoi se reforma nuk synon të përjashtojë sipërmarrjen private, por të përmirësojë organizimin e sistemit publik, duke garantuar transparencë, konkurrencë të ndershme dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët.
Ajo nënvizoi gjithashtu se autorizimi i tregtimit do të vijojë të jetë parimi bazë për vendosjen e barnave në treg, ndërsa mekanizmat e posaçëm të importit do të përdoren vetëm në raste të argumentuara dhe në përputhje me standardet e cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë.
Paketa e re ligjore përbëhet nga katër projektligje:
Projektligji për produktet mjekësore për përdorim njerëzor.
Projektligji për pajisjet mjekësore.
Projektligji për pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro.
Projektligji për krijimin e shoqërisë publike MedAL.
Tre projektligjet e para synojnë forcimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë për barnat dhe pajisjet mjekësore, rritjen e gjurmueshmërisë, përmirësimin e farmakovigjilencës, si dhe lehtësimin e aksesit në teknologjitë e reja mjekësore.
“Filozofia jonë është të forcojmë standardet që mbrojnë qytetarin dhe të thjeshtojmë procedurat që nuk krijojnë vlerë”, deklaroi Spahiu.
Ministrja bëri të ditur se gjatë procesit të konsultimit do të shqyrtohen edhe propozimet e grupeve të interesit, veçanërisht ato që lidhen me konkurrencën, sigurinë e furnizimit, investimet dhe zbatimin praktik të reformës./mxh
