Last Updated on 21/05/2026 by EL
Importet e çadrave të diellit dhe produkteve të ngjashme arritën nivel rekord në muajin prill 2026, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit turistik dhe përgatitjet intensive për sezonin veror.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se vlera e importeve për kategorinë “Çadrat e diellit, bastunet etj.” arriti në rreth 92 milionë lekë në prill 2026, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një muaj që prej vitit 2005. Rekordi i mëparshëm mbahej nga maji i vitit 2023, kur importet kishin arritur në rreth 89.9 milionë lekë.
Rritja nuk lidhet vetëm me çmimet, por edhe me sasitë e importuara. Në prill, pesha e importeve arriti në rreth 171 mijë kilogramë, niveli më i lartë historik për këtë muaj dhe një nga nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Krahasuar me prillin e vitit të kaluar, pesha neto e importeve u rrit me më shumë se 106%, ndërsa vlera u zgjerua me mbi 21%.
Të dhënat tregojnë se kërkesa për pajisje dhe infrastrukturë sezonale po rritet ndjeshëm, në një kohë kur bizneset turistike po shtojnë investimet për sezonin veror. Zgjerimi i strukturave akomoduese, bareve dhe hapësirave të plazhit duket se po shoqërohet me rritje të importeve të pajisjeve verore, veçanërisht të çadrave të plazhit.
Nëse deri disa vite më parë importet për këtë kategori luhateshin zakonisht mes 20 dhe 50 milionë lekëve në muajt e pranverës, gjatë viteve të fundit ato janë rritur ndjeshëm, duke reflektuar zgjerimin e industrisë turistike dhe rritjen e investimeve përgjatë vijës bregdetare.
Por duhet theksuar se importet për këtë kategori nuk lidhen vetëm me plazhet, por edhe me çadrat dhe pajisjet e përdorura nga baret, restorantet dhe bizneset e shërbimit.
Origjina e importeve dominohet kryesisht nga vendet e rajonit dhe Italia. Në muajin prill, Bosnje Hercegovina rezultoi furnitori kryesor për këtë kategori produktesh, duke zënë rreth 44% të totalit të importeve, e ndjekur nga Italia me 28.8% dhe Kina me 18.6%. Pjesa tjetër e tregut u nda mes vendeve si Turqia, Greqia dhe Indonezia, ndërsa importet nga vendet e tjera mbetën minimale./et
