Një trend i ri në TikTok po fiton miliona shikime dhe premton një mënyrë të pazakontë për të ulur stresin, për të fjetur më mirë dhe madje për të përmirësuar lëkurën: mjafton të qëndrosh zbathur mbi një shtresë kripe për rreth 10 minuta para gjumit.
Video të shumta tregojnë përdorues që hedhin kripë Epsom ose kripë deti në një tavë dhe vendosin këmbët mbi të, duke pretenduar se kjo ndihmon në uljen e kortizolit, rrit serotoninën dhe e vendos trupin në gjendjen e relaksimit (“rest and digest”).
Por a ka bazë shkencore kjo metodë?
Sipas mjekëve, përgjigjja është: jo aq sa pretendohet.
Internisti Dr. Yoshua Quinones shpjegon se nuk ekzistojnë prova shkencore që tregojnë se qëndrimi mbi kripë mund të ndryshojë nivelet e serotoninës apo kortizolit në organizëm. Megjithatë, ai pranon se rituali mund të ketë efekte pozitive indirekte.
Sipas tij, ndjesia e teksturës së kripës nën këmbë mund të ndihmojë në relaksim, ndërsa vetë fakti që ndalon për disa minuta, larg telefonit dhe stresit të ditës, mund ta përgatisë mendjen për gjumë.
Një tjetër përfitim real është eksfolimi i lëkurës së këmbëve, pasi kristalet e kripës largojnë qelizat e vdekura dhe e bëjnë lëkurën më të butë. Por ekspertët paralajmërojnë se kjo metodë nuk është e përshtatshme për të gjithë. Personat me plagë, çarje në lëkurë, neuropati ose diabet duhet ta shmangin, pasi mund të shkaktojë irritim ose komplikacione.
Edhe specialistët e gjumit mbeten skeptikë. Mjekja Dr. Saema Tahir thotë se nuk ka prova që kontakti me kripën qetëson sistemin nervor dhe se pretendimet për ndryshime hormonale janë të ekzagjeruara. Psikiatrja Dr. Bonnie Mitchell shton se efekti pozitiv, nëse ekziston, lidhet me ushtrimet e “grounding” dhe vëmendjen që i kushton trupit, jo me vetë kripën.
Në fakt, ekspertët thonë se i njëjti efekt relaksues mund të arrihet edhe duke ecur zbathur mbi bar, mbi gurë të lëmuar ose duke bërë ushtrime frymëmarrjeje përpara gjumit.
Nëse synimi është relaksimi i muskujve dhe kujdesi për këmbët, mjekët rekomandojnë një alternativë më të provuar: një banjë e ngrohtë me kripë Epsom. Uji i ngrohtë ndihmon qarkullimin e gjakut, relakson muskujt dhe zbut lëkurën, përfitime që mbështeten më mirë nga studimet sesa trendi viral i qëndrimit mbi kripë./ NEW YORK TIMES-ad
