Last Updated on 29/08/2025 by adminfjala
Në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se Qeveria mund të emërojë komisionarë, nëse zgjedhjet lokale nuk japin rezultat. Kjo mund të ndodhë sidomos në komunat e vogla, ku ka pak votues ose shumë njerëz janë larguar jashtë vendit, thonë analistët.
Nëse as pas rundit të dytë të zgjedhjeve nuk zgjidhet kryetari i një komune, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut duhet ta njoftojë Qeverinë e vendit.
Në atë rast, brenda 15 ditësh, Qeveria do të emëronte një komisionar, që do t’i kishte të gjitha kompetencat e kryetarit të komunës.
Pastaj, Qeveria do ta njoftonte Kuvendin, i cili, brenda 60 ditësh, do të shpallte zgjedhje të reja në atë komunë.
E gjithë kjo është e rregulluar kështu me nenin 134 të Kodit Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut.
Zgjedhja e komisionarit nuk ka kritere të veçanta, por zakonisht ai zgjidhet nga komuna ku jeton. Dhe, mandati i tij është i përkohshëm, derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja.
Njoftimi i Mickoskit pasoi vendimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për të lehtësuar pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur, me vetëm dy nënshkrime, në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.
Kjo ngriti shqetësime se fleta e votimit mund të bëhet shumë e gjatë dhe e ngatërruar.
“Çdo gjë është e mundur. Fleta e votimit mund të jetë 7-8 metra e gjatë, për të penguar qytetarët që të dalin. Por, dua të paralajmëroj se sipas Kushtetutës dhe ligjit, nëse zgjedhjet nuk janë të suksesshme, Qeveria emëron komisionarë”, tha Mickoski. m.p.
