Last Updated on 29/08/2025 by adminfjala
Edhe pse Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit pritet nga dita në ditë të njoftohet data e mbledhjes, dhe parlamenti i vjetër e ka mbyllur sesionin, këtë të premte me pjesëmarrjen e deputetëve të PS, u mblodh Komisioni për Çështjet Europiane.
Me rend dite për shqyrtimin e projekt pozicionit negociues për Grupkapitullin e V-të “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” për negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mbledhja e Komisionit u kundërshtua nga opozita.
Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku nuk pranoi ta drejtojë mbledhjen, duke theksuar në një reagim se mbledhja jashtë sesionit parlamentar është antikushtetuese.
“I sqarova qeverisë që mbledhja e komisionit jashtë sesioni është antikushtetuese! Për një javë fillon sesioni ri parlamentar dhe opozita e ka prioritet procesin e integrimit dhe do të bëjë çdo gjë në dorë të saj ashtu si ka bërë në çdo rast për këtë proces! Ofrova disa zgjidhje praktike si mund ta kalonim këtë ngërç por qeveria vazhdoi në mënyrë të njëanshme! Asnjë nga deputetet që sot kanë thirrur mbledhje nuk janë të rizgjedhur dhe nuk e kanë legjitimitetin të thërrasin mbledhje jashtë sesioni!”-tha Jorida Tabaku
Ndërkohë burime nga Kuvendi për Euronews Albania konfirmuan se në rregulloren e Parlamentit janë të parashikuara rastet kur një komision, apo edhe seanca plenare mund të mblidhet jashtë sesioneve parlamentare. Në Parlamentin e ri që pritet të mblidhet brenda 10 ditëshit të dytë të shtatorit, me ndryshimin e kompozimit të komisioneve parlamentare, ky organ pritet të ketë një rol të shtuar në procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. m.p.
