OpenAI mund të rishikojë ritmin me të cilin po zhvillon teknologjitë e saj më të avancuara të inteligjencës artificiale.
Gjatë një takimi me stafin, CEO i kompanisë, Sam Altman, ka hedhur në diskutim idenë e një ngadalësimi të përkohshëm të zhvillimit të modeleve të gjeneratës së re. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në qendër të këtij diskutimi janë shqetësimet për sigurinë dhe pasojat e mundshme të sistemeve gjithnjë e më të fuqishme të AI.
Altman ka folur gjithashtu për mundësinë e një koordinimi më të madh mes kompanive kryesore të teknologjisë, me synimin për të vendosur një ritëm zhvillimi që të jetë më i kujdesshëm.
Por një marrëveshje e tillë nuk duket e lehtë. Kompanitë e mëdha të teknologjisë janë përfshirë në një garë të fortë për të avancuar sa më shpejt në fushën e inteligjencës artificiale dhe jo të gjitha mund të jenë të gatshme të frenojnë investimet apo zhvillimin e tyre.
Diskutimi brenda OpenAI vjen në një moment kur fuqia e modeleve të AI po rritet me shpejtësi, ndërsa bashkë me përparimin teknologjik po shtohen edhe debatet mbi kontrollin, sigurinë dhe rreziqet që mund të shoqërojnë këtë zhvillim./mxh
