Last Updated on 03/03/2026 by Anisa
Analisti dhe pedagogu Ermir Gjinishi deklaroi në emisionin Të Paekspozuarit, se Shqipëria duhet të marrë masa ndaj pjesëtarëve të organizatës iraniane Muxhahedinët e Popullit të Iranit (MEK), të cilët janë strehuar në vendin tonë që prej vitit 2012, në Manzë.
Sipas Gjinishit, megjithëse Shqipëria ka përmbushur detyrimet e saj ndaj aleatëve duke pranuar strehimin e tyre, shteti shqiptar duhet të tregojë kujdes dhe të mos lejojë që kjo organizatë të zhvillojë aktivitet politik apo kibernetik nga territori shqiptar.
Gjinishi kujtoi se deri në vitin 2012, MEK ka qenë në listën e organizatave terroriste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, një nga arsyet që ndikoi në heqjen e saj nga kjo listë ishte pranimi i anëtarëve të parë të MEK në Shqipëri nga qeveria e asaj kohe.
“MEK deri në 2012, ka qenë në listën e SHBA si organizatë terroriste dhe u hoq. Një nga arsyet pse u hoq, ishte Shqipëria, kur qeveria e zotit Berisha pranoi ardhjen e parë dhe vuri kusht SHBA-ve ta hiqnin në listën e organizatave terroriste dhe u hoq. Që i kemi marrë kemi bërë mirë, sepse kemi edhe ne detyrimet tona ndaj aleatëve, por shteti shqiptar duhet të ishte i kujdesshëm, ata janë ekstremistë, por janë në vendin e tyre.”
Analisti ngriti shqetësimin për aktivitetin kibernetik të organizatës, duke përmendur deklarata zyrtare sipas të cilave nga Shqipëria janë kryer sulme ndaj institucioneve iraniane. Megjithatë, Gjinishi u shpreh se nuk e sheh MEK-un si një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e Shqipërisë, edhe pas zhvillimeve të fundit që lidhen me Iranin.
”MEK ka qenë organizatë tërroriste në vendin e tij, në asnjë vend tjetër. Por ka diçka, kanë patur aktivitet kibernetik, kanë sulmuar institucione të Iranit. Ka deklaratë zyrtare, që nga Shqipëria janë sulmuar, janë bërë sulme kibernetike. Ata janë 3 mijë e ca vetë.
Vetë presidenti Biden, para se të largohej nga pushteti, ka deklaruar se MEK nuk është opsion opozitar për të zëvendësuar sundimin e Ayatollahëve. Nuk i shoh si rrezik për Shqipërinë, por Shqipëria duhet të marrë masa. Nuk duhet të lejohet të bëjnë aktivitet nga Shqipëria”, përfundoi Gjinishi./A.D
