Last Updated on 03/03/2026 by Anisa
Nga Edlira Çepani
Jo sepse e kam tashmë mision të një jete mbështetjen e grave në politikë, por sepse pas më shumë se 20 vitesh pune me politikën në Shqipëri, në rajon apo në vende të ndryshme të botës, arrij tashmë t’i dalloj politikanët që bëjnë diferencën, ndaj mund të them me bindje se Vjosa Osmani e ka bërë diferencën në mënyrën si e ka kryer rolin e saj si Presidente e Republikës e Kosovës.
Presidenca nuk është dhe nuk duhet të jetë çështje partish, ndonëse Presidentin/en e voton Parlamenti. President/e duhet të jetë dikush që ka fuqinë dhe aftësinë për ta përfaqësuar në mënyrën e duhur vendin – edhe në momente normale, kur është më e thjeshtë, por edhe në momente të vështira, kur duhet fuqi për të folur e vepruar, edhe aty ku të tjerë do të kishin hezituar.
President/e duhet të jetë dikush që i përfaqëson denjësisht njerëzit edhe brenda, edhe jashtë vendit. Dikush që ka aftësinë të ketë autoritet ndërkombëtar, edhe pse vendi nga vjen është një vend i vogël, por edhe autoritet kombëtar, sepse e duan njerëzit e vet.
Jo vetëm sepse mbështes gratë në politikë, jo vetëm se ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin dhe të promovojnë njerëzit e duhur në politikë, por edhe sepse kam patur raste të shumta ta shoh në veprim dhe në çdo rast, Vjosa Osmani ka qënë Presidente që e ka nderuar Kosovën dhe rajonin tonë! Pikërisht prandaj, në mendimin tim modest, gjëja e duhur do të ishte që ajo ta vazhdonte këtë rrugëtim!
#MeVjosen pa asnjë dyshim!/A.D
