Last Updated on 09/07/2026 by EL
Rikthimi i ujqërve në Parkun Kombëtar Yellowstone është konsideruar prej vitesh si një nga shembujt më të suksesshëm të restaurimit të ekosistemeve. Megjithatë, një studim i ri ngre dyshime se ndikimi i tyre mund të jetë mbivlerësuar.
Rreth një vit më parë, një studim i realizuar nga Universiteti Shtetëror i Oregonit argumentoi se rikthimi i ujqërve kishte nxitur rigjallërimin e plepave të bardhë në park, duke e paraqitur këtë si dëshmi të rivendosjes së ekuilibrit natyror. Por tani, një letër shkencore e botuar në revistën Global Ecology and Conservation, e hartuar nga studiues të universiteteve Utah State dhe Colorado, kundërshton këto përfundime.
Sipas autorëve, modeli matematikor i përdorur në studimin e mëparshëm kishte një gabim metodologjik. Lartësia e pemëve ishte përdorur njëkohësisht si bazë për të llogaritur dhe për të parashikuar madhësinë e kurorës së tyre, duke krijuar një lidhje artificialisht shumë të fortë mes të dhënave. Si rezultat, rritja e raportuar prej rreth 1.500% e kurorave të plepave mund të jetë mbivlerësuar.
Studiuesit theksojnë gjithashtu se modeli nuk merrte parasysh faktin që shumë pemë në Yellowstone janë dëmtuar nga barngrënësit që në fazat e hershme të rritjes, gjë që u jep atyre kurora me forma të parregullta dhe e bën të vështirë vlerësimin e saktë të madhësisë së tyre.
Një tjetër mangësi, sipas tyre, është se analiza nuk përfshinte faktorë të tjerë që ndikojnë në popullatat e barngrënësve, si gjuetia e kontrolluar nga njerëzit, e cila mund të ketë pasur një rol të ngjashëm me atë të ujqërve në uljen e numrit të tyre.
Megjithatë, autorët nuk mohojnë rëndësinë e rikthimit të ujqërve në Yellowstone. Ata pranojnë se grabitqarët kanë pasur një ndikim pozitiv në ekosistem, por argumentojnë se ky efekt mund të mos ketë qenë aq i madh sa është pretenduar më parë dhe se rigjallërimi i pyjeve nuk mund t’u atribuohet vetëm atyre./et
