“Na duhet të bëhemi më të mirë me veten, bashkimi është domosdoshmëri”
Një mesazh i fortë, kritik dhe me tone të theksuara kombëtare vjen nga Adi Krasta pas zhvillimeve të fundit që kanë tronditur opinionin shqiptar. Krasta e cilëson luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi si të shenjtë, por paralajmëron se sakrificat e së kaluarës nuk mund të vazhdojnë të përsëriten pa nxjerrë mësime.
Sipas tij, shqiptarët duhet të përballen me një realitet të vështirë: shpesh kanë qenë të vetëm dhe duhet të jenë të përgatitur për të qëndruar të bashkuar.
“Lufta e shqiptarëve për liri e pavarësi është e shenjtë dhe e paluajtshme. Por tash na duhet të bëhemi më të mirë me veten. Të na bëhet e kuptueshme se si shqiptarë kemi qenë vetëm dhe me gjasë vetëm do na duhet të qëndrojmë në vazhdimësi”, shkruan Krasta.
Ai kërkon që nga sakrificat e bëra të nxirren më në fund mësime dhe që bashkimi i shqiptarëve të mos mbetet vetëm një slogan.
“Bashkimi po bëhet i domosdoshëm, nëpërmjet sakrificave nga të cilat nuk paskemi mësuar”, thekson ai.
Krasta ka edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për qeveritë shqiptare, duke kërkuar fundin e asaj që e quan “dehje të narcizizmit” dhe një rikthim te profesionalizmi, ndershmëria dhe interesi i vendit.
“Qeveritë shqiptare të përmenden menjëherë nga dehja e narcizizmit. Të punojnë me profesionalizëm dhe ndershmëri për ta dashur Shqipërinë. Shqipëria e vogël apo e madhe ka nevojë për shqiptarë të mëdhenj”, shprehet ai.
Një kritikë të fortë ai adreson edhe ndaj militantizmit politik, duke u kërkuar shqiptarëve që interesin kombëtar ta vendosin mbi përplasjet partiake.
“Militantët partiakë kanë përpara një alternativë: të humbasin së bashku ose të mencurohen për të kuptuar njëherë e përgjithmonë se luftërat e politika duhet të kenë një synim final, të mirën e vendit.”
Në mesazhin e tij, Krasta shkon edhe më tej, duke kërkuar që ideja e bashkimit federativ të trojeve shqiptare të hidhet në diskutim, veçanërisht për territoret shqiptare që, sipas tij, po përballen me rrezikun e “vetëshkatërrimit”.
Në fund, ai vendos theksin te demokratizimi i brendshëm, duke paralajmëruar se pa një ndryshim të kësaj natyre, rrezikohet edhe vetë e ardhmja e shqiptarëve.
“Popullata shqiptare ose të kuptojë e të jetojë për demokratizimin e brendshëm ose të tkurret përfundimisht.”
Dhe Krasta e mbyll mesazhin me një paralajmërim të fortë për atë që po ndodh sot:
“Kjo që po ndodh është vetëm goditja e parashikuar e radhës që sërish na gjeti të papërgatitur.”/ad
