Adriatik Lapajt sot u pa me më shumë njerëz se ditët e para. Rreth 120 veta qenë të pranishëm në protestën e tij. Kreu i Shqipëria Bëhet ka 6 ditë e 7 netë që vijon protestën pandalur, natë e ditë, duke fjetur në trotuar, përballë kryeministrisë.
Ai njoftoi se në ditët në vijim do të ndodhë një ndryshim. Personalitetet më të shquara, njerëz publikë dhe të zakonshëm, do të shfaqen përkrah tij për të dhënë mesazhe. Njerëzit do të mund të tregojnë problemet e tyre gjithashtu, duke i diskutuar së bashku.
“Sot jam krenar sepse kam guxuar t’i them jo tundimit të ofertave të njeriut më të kërkuar të Europës dhe sot u kërkoj shqiptarëve bashkim kundër bandave. Është koha ta bëjmë Shqipërinë së bashku. Pandalim, bashkë! Mikrofoni është i hapur. Nga sot e në vazhdim, po ideojmë një forum qytetar, ku të diskutojmë për problemet tona poshtë zyrës së Ramës. Këtu do të dëgjohemi nga njëri-tjetri për t’u bashkuar nga regjimi autokrat i Ramës”. m.p.
