Last Updated on 10/12/2025 by Monika
Adriatik Lapaj, kreu i nismës “Shqipëria Bëhet”, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga sheshi para Kryeministrisë, ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se kryeministri Edi Rama i ka propozuar në muajin qershor që të bëhej pjesë e një qeverie me bazë të gjerë.
“Gazetarët e dinë mirë, gjithë Tirana e di mirë, që pushteti në muajin qershor ka kërkuar që ne të bëheshim pjesë e një qeverie me bazë të gjerë, dhe unë kam refuzuar plot dy herë,” u shpreh Lapaj.
Ai shtoi se “telenovela e shëmtuar e verës” ka qenë çmimi që, sipas tij, i është dashur të paguante pas këtij refuzimi, duke e cilësuar situatën si të orkestruar nga kryeministri.
Lapaj u ndal edhe te zgjedhja e Avokatit të Popullit, duke theksuar se nëse në këtë detyrë zgjidhet Endri Shabani, ai nuk do të pranohet nga protestuesit, pasi sipas Lapajt nuk i plotëson kriteret për të qenë një Avokat i Popullit i denjë.
Ai shtoi gjithashtu se policia nuk lejon vendosjen e çadrave në zonën përreth Kryeministrisë, sepse, sipas tij, kryeministri Rama ka frikë se “Tirana mund të mbushet me çadra kampingu nga protestuesit”./mxh
