Qendra e Johannesburgut u përfshi nga tensionet të martën, teksa mijëra protestues dolën në rrugë në një marsh kundër emigracionit, nën masa të rrepta sigurie.
Demonstruesit, të pajisur me shkopinj dhe mburoja, marshuan nëpër rrugët e qytetit, ndërsa efektivët e policisë dhe kompanitë private të sigurisë i shoqëruan gjatë gjithë protestës për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Gjatë protestës u ndezën edhe zjarre në disa pjesë të qendrës së qytetit, duke shtuar tensionin mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Njëri prej pjesëmarrësve në protestë, Nkazimulo Ndlovu, deklaroi se emigrantët e paligjshëm po u marrin vendet e punës qytetarëve vendas.
“Emigrantët po marrin vendet tona të punës edhe pse ndodhen ilegalisht në vend. U kemi dhënë afat deri më 30 qershor që të kthehen në vendet e tyre. Nuk po luftojmë me askënd, por po marrim situatën në duart tona,” tha ai.
Marshimi në Johannesburg është pjesë e një vale protestash kundër emigracionit që po zhvillohen në disa qytete të Afrikës së Jugut.
Autoritetet kanë rritur masat e sigurisë dhe janë vendosur në gatishmëri të lartë, nga frika se demonstratat mund të shoqërohen me episode dhune ose përplasje./mxh
