Deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë një thirrje publike për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të firmosin një peticion online në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
Sipas Shehajt, nëse drejtësia goditet, Shqipëria rrezikon të humbasë një shans historik për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për garantimin e një të ardhmeje europiane për qytetarët e saj.
“Të gjithë ata shqiptarë që nuk kanë mundësinë të na bashkohen fizikisht, sepse jetojnë jashtë vendit, tani mund të firmosin peticionin online në mbrojtje të drejtësisë.
Na duhen 100 mijë firma!
www.mundesia.al/me-drejtesine
Sot, çdo shqiptar duhet të zgjedhë:
Ose të mbështesë drejtësinë në luftën kundër korrupsionit, kundër çdo politikani apo zyrtari “të paprekshëm”, ish apo aktualisht në detyrë, që është pasuruar vetë, ka pasuruar familjarët apo miqtë e tij duke vjedhur qytetarët e një prej vendeve më të varfra në Europë;
Ose, me heshtjen dhe mosveprimin e tij, të mbajë anën e të korruptuarve, të lejojë kapjen e drejtësisë dhe ta rikthejë Shqipërinë në modelin e dështuar dhe korruptiv të 35 viteve të shkuara.
Nëse drejtësia goditet, Shqipëria rrezikon të humbasë një shans historik për të ndërtuar një shtet të së drejtës dhe për të siguruar një të ardhme europiane për qytetarët e saj”, shprehet Shehaj. /E.T
