“Pse nuk foli atëherë?”, “Pse nuk reagoi?”, “Pse vazhdoi të rrinte me të?” apo edhe “Çfarë kishte veshur?” janë ndër pyetjet që shpesh shfaqen pas një denoncimi për abuzim seksual. Në dukje mund të tingëllojnë si përpjekje për të kuptuar çfarë ka ndodhur, por në shumë raste ato bëjnë diçka tjetër: e zhvendosin vëmendjen nga personi që dyshohet se ka ushtruar dhunë te sjellja e viktimës.
Një denoncim i publikuar së fundmi në Greqi ka rihapur pikërisht këtë diskutim. Një grua ka treguar se për vite me radhë ka përjetuar abuzim seksual, fizik dhe psikologjik nga një burrë, të cilin e përshkruan si një figurë të njohur në botën artistike, gazetareske dhe aktiviste. Ajo nuk e ka bërë publik emrin e tij.
Sipas rrëfimit të saj, ata u njohën në vitin 2022, në një periudhë kur ajo po kalonte vështirësi personale dhe profesionale. Fillimisht, gruaja besoi se ai po përpiqej ta ndihmonte të rikthehej profesionalisht dhe i kërkoi këshilla për një ndryshim karriere.
Më pas, sipas saj, sjellja e tij ndryshoi. Ajo përshkruan një takim në shtëpinë e tij, gjatë të cilit ai e preku seksualisht pa pëlqimin e saj. Gruaja thotë se në atë moment “ngriu” dhe nuk reagoi, ndërsa më pas nisi një cikël abuzimi dhe manipulimi që zgjati për vite.
Ajo tregon se iu deshën tre vjet dhe shumë psikoterapi për të kuptuar se ajo që kishte përjetuar ishte përdhunim. Për një kohë të gjatë, thotë se e kishte bindur veten se ishte fajtore, veçanërisht sepse personi që e kishte abuzuar perceptohej nga të tjerët si një njeri i respektuar.
Pse viktimat nuk reagojnë gjithmonë?
Pas publikimit të denoncimit, disa nga komentet u përqendruan te koha kur gruaja vendosi të fliste, fakti që kishte vazhduar të kishte kontakt me personin në fjalë dhe arsyeja pse nuk kishte reaguar në momentin e parë.
Pikërisht këtu qëndron një nga problemet e kulturës së fajësimit të viktimës. Pyetjet “pse nuk u largua?” ose “pse vazhdoi ta takonte?” supozojnë se një person që përjeton dhunë është gjithmonë në gjendje të marrë vendime të qeta, të logjikshme dhe të menjëhershme. Në realitet, frika, manipulimi, varësia emocionale dhe trauma mund ta bëjnë shumë më të vështirë njohjen e situatës dhe largimin prej saj.
.Fajësimi i viktimës, vënia në dyshim e besueshmërisë së saj, justifikimi i autorit dhe normalizimi i dhunës seksuale kontribuojnë në heshtjen e viktimave dhe në zhvendosjen e përgjegjësisë larg abuzuesit.
Përdhunimi përfshin çdo akt seksual të kryer pa pëlqim. Pëlqimi duhet të jetë i lirë, i informuar dhe specifik, ndërsa mund të tërhiqet në çdo moment.
Kjo do të thotë se heshtja, hezitimi, ngrirja, sikleti ose pamundësia për të reaguar nuk duhen interpretuar si “po”. Një person mund të mos thotë “jo” me zë të lartë dhe sërish të mos ketë dhënë pëlqimin.

Një tjetër keqkuptim i zakonshëm është ideja se abuzimi nuk mund të ndodhë në një marrëdhënie romantike ose martesë. Në fakt, përdhunimi mund të ndodhë edhe brenda martesës, në një lidhje afatgjatë apo në çdo marrëdhënie tjetër. Në marrëdhëniet abuzive, ciklet e manipulimit, kontrollit dhe frikës mund ta bëjnë edhe më të vështirë thyerjen e këtij rrethi.
“Pse foli tani?” nuk është pyetja kryesore
Një viktimë mund të flasë menjëherë, pas disa muajsh ose pas shumë vitesh. Koha kur ajo arrin të flasë nuk ndryshon përgjegjësinë e personit që ka ushtruar dhunë.
Në rrëfimin e saj, gruaja thotë se për vite me radhë jetoi me frikë, faj dhe turp dhe se vetëm pas një procesi të gjatë psikoterapie arriti ta kuptonte qartë atë që kishte ndodhur. Pikërisht kjo tregon pse pyetja nuk duhet të jetë vetëm “Pse nuk foli më herët?”, por edhe “Pse u desh kaq shumë kohë që ajo të ndihej e sigurt për të folur?”.
Në vend që të kërkohet një shpjegim te veshja, sjellja, heshtja apo kontaktet e viktimës me abuzuesin, përgjegjësia duhet të qëndrojë aty ku i takon: te personi që ka zgjedhur të shkelë kufijtë dhe pëlqimin e një tjetri./k.m
