Nga Leonard Veizi
Më 10 shtator 1943, Roma ra. Por nuk u dorëzua.
Në zemër të kryeqytetit italian hynë me dhunë trupat e Wehrmacht-it, nën kërcënimin e armëve dhe me logjikën e terrorit. Ishte fundi i aleancës dhe fillimi i pushtimit. Fundi i iluzionit fashist dhe fillimi i një prej faqeve më të errëta të historisë italiane.
…Dy ditë më parë, më 8 shtator, ishte bërë publik armëpushimi i “Cassibile”-s, i nënshkruar mes Italisë dhe Aleatëve. Italia kishte vendosur të dilte nga lufta e Hitlerit. Për komandën gjermane, ai armëpushim ishte tradhti. Përgjigja e Hitlerit ishte e menjëhershme dhe kriminale: Operacioni “Achse” – plani për çarmatimin me forcë të ushtrisë italiane dhe pushtimin e plotë të territorit.
Në orët që pasuan, Wehrmacht-i nisi ofensivën. Njësitë italiane u gjendën në kaos të plotë, pa asnjë urdhër të qartë nga lart. Mbreti Viktor Emanueli III, qeveria e Badolios dhe Shtabi i Përgjithshëm ishin larguar fshehurazi nga Roma drejt Brindizit. Kryeqyteti mbeti pa drejtim politik dhe pa komandë ushtarake.
Por në rrugët e Romës ndodhi e kundërta e asaj që priste Berlini.
Rezistenca që nisi në rrugë
Më 8, 9 dhe 10 shtator 1943, Roma luftoi. Përleshjet më të ashpra shpërthyen në Porta San Paolo, në Montagnola, në Cecchignola dhe në Ostiense. Aty, ushtarë të Divizionit “Granatieri di Sardegna” dhe të Divizionit të blinduar “Ariete II” refuzuan të dorëzonin armët. Atyre iu bashkuan menjëherë civilë të armatosur – punëtorë, studentë, antifashistë, qytetarë të thjeshtë – që ngritën barrikada me autobuzë dhe mobilje. Ishte një betejë e pabarabartë. Italianët luftonin me pushkë e mitralozë të lehtë kundër tankeve dhe autoblindave gjermane. Por ishte një betejë me kuptim historik.
“Porta San Paolo”, një nga portat e lashta të Mureve Aureliane, u shndërrua më 10 shtator 1943 në skenën e betejës së fundit për mbrojtjen e Romës. Ushtarë italianë dhe civilë të armatosur me mjete të pakta ngritën barrikada dhe u përballën me trupat gjermane që po përparonin drejt qendrës së qytetit. Ishte një rezistencë e dëshpëruar dhe e pabarabartë. Në fund, gjermanët e thyen mbrojtjen dhe morën kontrollin e kryeqytetit.
Sipas të dhënave zyrtare të Romës, në mbrojtje të kryeqytetit ranë mbi 1.000 ushtarakë italianë dhe rreth 120 civilë. Vetëm në zonën e “Porta San Paolo” dhe “San Saba” u regjistruan mbi 400 viktima.
Vetë Bashkia e Romës e konsideron sot atë betejë si aktin e parë të Rezistencës së armatosur italiane kundër nazi-fashizmit. Kjo e vërtetë duhet mbrojtur me forcë: ushtari italian nuk tradhtoi. Ai u tradhtua nga udhëheqja e tij, por nuk pranoi të kthehej në rob të gjermanit.
Më 10 shtator, pas dy ditësh gjakderdhje, komanda e mbetur në Romë firmosi ndërprerjen e luftimeve. Gjermanët hynë në qytet. Roma ishte e pushtuar. Por jo e nënshtruar.
Nëntë muaj nën terrorin nazist
Ajo që pasoi për nëntë muaj, deri më 4 qershor 1944, kur hynë amerikanët, ishte terror i pastër shtetëror.
Më 16 tetor 1943, SS-ja e kolonelit Kappler rrethoi geton hebraike. 1.259 hebrenj romakë u grumbulluan dhe u deportuan drejt “Auschwitz-Birkenau”. Vetëm 16 u kthyen të gjallë. Në total, gjatë pushtimit u deportuan nga Roma rreth 1.800 hebrenj italianë, pothuajse të gjithë drejt vdekjes.
Pastaj erdhi kulmi i barbarisë. Më 24 mars 1944, pas një sulmi partizan në “Via Rasella” ku u vranë 33 ushtarë gjermanë, Hitleri urdhëroi hakmarrje. Në shpellat e “Fosse Ardeatine”, gjermanët ekzekutuan me një plumb pas koke 335 italianë: të burgosur politikë, partizanë, punëtorë, dhe 75 hebrenj të zgjedhur vetëm sepse ishin hebrenj. Pas ekzekutimit, trupat u lanë të grumbulluar brenda shpellave. Nazistët përdorën eksplozivë për të shembur shkëmbinjtë mbi ta dhe për të fshehur gjurmët e masakrës.
Simboli tjetër i këtij ferri ishte burgu i “Via Tasso”, selia e Gestapos. Aty u torturuan sistematikisht mijëra antifashistë, partizanë dhe qytetarë të dyshuar. Shumë nga ata që dolën nga “Via Tasso”, përfunduan në “Fosse Ardeatine”.
Dhe këtu historia nuk mund të tregohet me ekuivok: pushtimi ishte nazist, por terrori u ushtrua edhe me bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të fashistëve italianë të Republikës Sociale të “Salò”-së. Pa informatorët, milicinë dhe administratën e Salò-së, lista e hebrenjve dhe e antifashistëve nuk do të ishte kurrë kaq e plotë.
Rezistenca
Më 4 qershor 1944, trupat aleate hynë në një qytet të plagosur, por të çliruar.
Sot, kur kujtojmë 10 shtatorin 1943, nuk mjafton të themi “gjermanët pushtuan Romën”. Duhet të themi të gjithë fjalinë: Gjermanët pushtuan Romën pasi u ndeshën me rezistencën e ushtarëve dhe popullit të saj; e mbajtën me terror, deportime dhe masakra; dhe e humbën përballë një populli që kishte zgjedhur tashmë anën e duhur të historisë.
Historia e 10 shtatorit nuk është vetëm historia e pushtimit por dhe e çastit kur Italia, mes kaosit dhe braktisjes nga mbreti dhe gjeneralët e saj, gjeti forcën të nisë luftën për të dalë nga ana e gabuar e historisë.
Në Porta San Paolo edhe pse u mund vetëm një battalion në fakt aty nisi çlirimi moral i Italisë.
