Kohët e fundit, tendencat e bizhuterive kanë qenë të fokusuara te modelet e mëdha dhe të guximshme. Varëse me thekë, gurë të mëdhenj e shumëngjyrësh dhe vathë me frymëzim nga vitet ’80 kanë qenë kudo. Ndërsa veshjet, çantat dhe këpucët janë prirur më shumë drejt thjeshtësisë, bizhuteritë kanë qenë përjashtimi, duke i dhënë më shumë karakter edhe pamjeve më të thjeshta.
Por tani që luksi i qetë po humbet terren dhe moda po bëhet gjithnjë e më e veçantë, edhe bizhuteritë po ndryshojnë drejtim. Ato po bëhen më të përmbajtura, duke i lënë pjesët e tjera të veshjes të marrin vëmendjen, ndërsa vetë qëndrojnë në sfond dhe plotësojnë pamjen. Pikërisht për këtë arsye, një klasik si vathët e varur me diamantë po lënë pas shumë modele të tjera.
Vathët e varur me diamantë janë të përshtatshëm për çdo ditë. Ata kombinohen me pothuajse gjithçka dhe i japin shkëlqim një veshjeje pa e mbingarkuar. Janë detaji i fundit që e bën një pamje të duket më e kuruar dhe tashmë kanë hyrë në koleksionet e bizhuterive të emrave si Hailey Bieber, Kendall Jenner dhe Vittoria Ceretti.
Vathët e mëdhenj dhe shpesh të rëndë duket se po dalin në plan të dytë. Në vend të tyre, po shihen gjithnjë e më shumë modele në formë ovale ose smeraldi, që varen lehtë nga veshi dhe japin një shkëlqim delikat.


Hailey Bieber ka mënyrën e saj për t’i veshur. Ajo i kombinon vathët me diamantë edhe me veshje shumë të thjeshta, madje i ka mbajtur me bikini gjatë pushimeve ose ndërsa përgatitej për një mbrëmje. Për të, ata nuk janë thjesht një aksesor për tapetin e kuq, por një pjesë që mund të shoqërojë çdo veshje.

Kendall Jenner dhe Vittoria Ceretti, nga ana tjetër, i zgjedhin më shpesh për raste të veçanta.



Kur Jenner veshi një fustan të personalizuar Chanel në ngjyrë blu si të Hirushes në festën e Vanity Fair pas ceremonisë së Çmimeve Oscar 2026, ajo e plotësoi pamjen me vathë të varur me diamantë nga Tiffany & Co.. Bizhuteritë i dhanë shkëlqim veshjes, por pa ia marrë asaj vëmendjen kryesore.

Ceretti ndoqi të njëjtën qasje në Festivalin e Filmit në Venecia 2026, ku kombinoi një veshje Armani Privé, pjesërisht transparente dhe pjesërisht prej kadifeje, me disa bizhuteri me diamantë nga Boucheron dhe Crivelli. Mes tyre ishin edhe një palë vathë Boucheron me vlerë rreth 68,800 dollarë.


Duket se pikërisht ky është sekreti i rikthimit të tyre: janë mjaftueshëm elegantë për një event të madh, por njëkohësisht aq të thjeshtë sa mund të vishen edhe çdo ditë./k.m



