Për vite me radhë, është besuar se konsumimi i moderuar i alkoolit, si një gotë verë apo një birrë në ditë, ishte relativisht i padëmshëm. Por një studim i publikuar në Nature Communications sfidon këtë ide.
Duke analizuar skanimet e trurit të më shumë se 36 mijë të rriturve, studiuesit gjetën një lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumit të rregullt të alkoolit dhe zvogëlimit të vëllimit të trurit, duke prekur si lëndën gri, ashtu edhe atë të bardhë.
Sipas studimit, ndryshimet negative mund të shfaqen edhe në nivele konsumi më të ulëta se një pije standarde në ditë, ndërsa rreziku rritet me çdo pije shtesë.
Te personat 50-vjeçarë, kalimi nga një në dy pije alkoolike në ditë u shoqërua me ndryshime në tru të krahasueshme me rreth dy vite plakje, ndërsa tre pije në ditë me rreth tre vite e gjysmë plakje të trurit.
Konsumimi i rëndë dhe afatgjatë mund ta privoi trurin edhe nga lëndë ushqyese të rëndësishme, si tiamina (vitamina B1), duke rritur rrezikun për çrregullime serioze si sindroma Wernicke-Korsakoff.
Truri ka njëfarë aftësie për t’u rikuperuar pas ndërprerjes së alkoolit, por disa dëmtime të strukturës dhe funksioneve njohëse mund të jenë të përhershme.
