Një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë ku janë përplasur 5 automjete.
Një 45-vjeçar është përplasur me një kamion, të cilin e ka goditur nga pas dhe ka humbur jetën në vend. Për inerci automjeti i viktimës është goditur nga 3 automjetet që vinin pas të cilat kanë pësuar vetëm dëme materiale dhe janë lënduar lehtë 5 pasagjerë.
Drejtuesja e njërit prej mjeteve është larguar nga vendngjarja dhe është shoqëruar për të sqaruar rrethanat.
Grupi i punës po punon për sqarimin e shkakut të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 05:20, në autostradën Durrës-Tiranë, janë përfshirë në një aksident rrugor 5 automjete.
Shtetasi H. B., 45 vjeç, është përplasur me një kamion dhe, si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje.
Më pas, në aksident janë përfshirë edhe tre mjete të tjera, me drejtues shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, si dhe 5 pasagjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa shtetasja A. V., e cila dyshohet se ka qenë drejtuese e njërit prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja dhe është shoqëruar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit./k.m
