Last Updated on 23/03/2026 by Kesjana
Aktori britanik Paapa Essiedu, i cili është përzgjedhur për të luajtur rolin e Severus Snape në projektin e ri televiziv të Harry Potter nga HBO, ka treguar se ka përjetuar fyerje dhe kërcënime raciste pas publikimit të lajmit për kastin.
Në një intervistë për The Times, Essiedu tha se që prej konfirmimit të rolit ka marrë mesazhe të rënda kërcënuese, përfshirë edhe kërcënime me vdekje, si në rrjete sociale ashtu edhe në mënyra të tjera. Ai theksoi se, pavarësisht se është mësuar me reagime publike për shkak të karrierës së tij, kjo situatë ka qenë më e ashpra deri më tani.
Aktori me origjinë ganeze u shpreh se shpesh ka lexuar mesazhe ku i kërkohet të tërhiqet nga roli, ndërsa disa përdorues kanë shkuar deri në kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së tij. Ai shtoi se askush nuk duhet të përballet me një nivel të tillë urrejtjeje vetëm për shkak të një pune artistike.
Pavarësisht kësaj, Essiedu tha se është i vendosur të vazhdojë projektin dhe ta trajtojë rolin si një sfidë profesionale, duke theksuar se dëshiron ta bëjë personazhin “të tijin” dhe të mos frikësohet nga presioni publik.
Seriali i ri i Harry Potter nga HBO po zhvillohet me një kast të ri aktorësh dhe pritet të jetë një nga produksionet më të mëdha televizive në vitet e ardhshme, duke rikthyer në ekran botën e njohur të Hogwarts-it./kb
