Aktori me origjinë shqiptare, Nikos Gelia, i cili jeton dhe ushtron profesionin e tij në Greqi, ka dhënë një intervistë lidhur me jetën e tij private.
Në një intervistë për “Star Tv”, Gelia u ndal fillimisht tek emigrimi i tij nga Shqipëria në shtetin fqinjë, duke e cilësuar atë si “pika zero” që i ndryshoi jetën.
Jo vetëm se ndryshoi vendin, por ndryshimi qe i rrënjësishëm për shkak se u përball me një mënyrë jetese të re, fëmijëri të re dhe edukim tjetër. . Po aq vendimtare, megjithatë, ishte edhe vendimi i tij për të ndjekur rrugën e aktrimit.
“Pika zero që ndryshoi jetën time është momenti kur erdha në Greqi nga Shqipëria. Ishte një pjesë shumë kyçe, sepse largohesh nga një jetë tjetër në Shqipëri dhe vjen në Greqi për të fituar të tjera mundësi si fëmijë, miq të tjerë, tjetër fqinjë dhe tjetër edukim. Mendoj se e dyta ishte zgjedhja për t’u marrë me aktrimin”, u rrëfye Nikos Gelia.
Duke folur më pas për vajzën e tij, ai u shpreh se ajo është forca e tij shtytëse.
“Vajza ime është forca shtytëse në jetën time. Kisha mungesë totale frike në jetën time në përgjithësi. Tani kam frikë dhe ankth, çfarë do të ndodhë nëse mungoj nga jeta?”, theksoi ai.
Në fund, aktori foli për ndarjen e tij të fundit nga ish-bashkëshortja, duke sqaruar se nuk duhet të shqetësojë publikun se çfarë ka ndodhur saktësisht.
“Çdo ndarje është personale dhe duhet ta respektojmë. Nuk i intereson botës se si e kam përjetuar ndarjen. Çdo person duhet, nga respekti për fëmijën dhe ndaj vetes, të respektojë kufijtë e ndarjes. Bëmë një bisedë me vajzën tonë për ndarjen.”/mxh
