Last Updated on 12/05/2026 by Monika
Tensionet mes gjigantëve të futbollit spanjoll, FC Barcelona dhe Real Madrid, kanë hyrë në një fazë të re përplasjeje pas deklaratave të forta të presidentit madrilen, Florentino Pérez.
Ky i fundit akuzoi publikisht klubin katalanas se ka paguar për 20 vite ish-zëvendëspresidentin e komitetit të arbitrave në Spanjë, në kuadër të ashtuquajturit “rasti Negreira”. Pérez shkoi edhe më tej, duke pretenduar se arbitrat kanë ndikuar në rezultatet sportive, duke dëmtuar Real Madridin ndër vite.
Në reagim të menjëhershëm, FC Barcelona ka bërë të ditur se Departamenti i tij Ligjor po analizon me kujdes deklaratat e presidentit madrilen për të vendosur hapat e ardhshëm. Klubi katalanas pritet të publikojë një qëndrim zyrtar dhe të marrë masa konkrete në lidhje me këto akuza.
Marrëdhëniet mes dy klubeve historike janë përkeqësuar ndjeshëm që prej përfshirjes së Real Madridit si palë akuzuese në “rastin Negreira”. Madrilenët kanë kërkuar nga drejtësia akses në dokumente të brendshme të Barcelonës, përfshirë auditime financiare dhe raporte të lidhura me arbitrat.
Megjithatë, ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke argumentuar se dokumentet përmbajnë informacione sensitive për strategjitë e klubit. Vendimi përfundimtar i gjykatës ka qenë në favor të Barcelonës, duke refuzuar dorëzimin e këtyre materialeve te rivali i tyre i përjetshëm.
Ndërkohë, në një konferencë të gjatë për shtyp, Florentino Pérez deklaroi se ndihet i dëmtuar nga arbitrat, duke thënë se skuadra e tij mund të kishte fituar shumë më tepër tituj nëse nuk do të kishte pasur, sipas tij, padrejtësi.
Situata mbetet e tensionuar dhe pritet që zhvillimet e ardhshme ligjore dhe reagimet zyrtare të përcaktojnë drejtimin e këtij konflikti të madh në futbollin spanjoll./mxh
