Last Updated on 12/05/2026 by Monika
Emri i biznesmenit spanjoll Enrique Riquelme është rikthyer në vëmendjen e mediave pas deklaratave të presidentit të Real Madrid, Florentino Pérez, i cili e përmendi atë si një nga personat e paktë që ka shfaqur ambicie për të kandiduar për presidencën e klubit madrilen.
Riquelme kishte shprehur interes për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, duke lënë të kuptohet se mund të sfidonte vetë Florentino Pérezin. Megjithatë, ai vendosi të tërhiqej përkohësisht nga gara, duke shtyrë planet e tij për një moment më të përshtatshëm.
Në deklaratat e tij publike, Pérez iu referua Riquelmes si një kandidat me “theks latino-amerikan”, duke shtuar më pas se ai është me origjinë nga Meksika, çka krijoi debat në mediat sportive dhe ekonomike.
Në fakt, Enrique Riquelme ka lindur në Cox të Alicante-s në Spanjë dhe është rritur në një familje me traditë madridiste. Ai ka mbi 20 vite anëtarësi si socio i klubit dhe, sipas rregullave të Real Madridit, përmbush kushtet për të kandiduar për president.
Aktualisht, Riquelme jeton mes Spanjës dhe Meksikës, ku drejton grupin energjetik “Cox Energy”, një kompani e madhe në sektorin e energjive të rinovueshme me prani në disa vende të botës, përfshirë Evropën dhe Amerikën Latine.
I njohur në botën e biznesit si “mbreti i diellit”, ai ka ndërtuar një perandori ekonomike në pak më shumë se një dekadë, duke e kthyer kompaninë e tij në një aktor të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Riquelme ka deklaruar më herët se në të ardhmen synon të garojë seriozisht për presidencën e Real Madrid, duke propozuar një model më profesional dhe global të menaxhimit të klubit./mxh
