Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për një shpërthim të dyshuar të Ebola-s në Republikën Demokratike të Kongos, duke deklaruar se virusi mund të ketë qarkulluar për disa muaj pa u zbuluar.
Sipas ekspertëve të OBSH-së, hetimet fillestare sugjerojnë se përhapja mund të ketë nisur rreth dy muaj më parë, ndërsa përpjekjet po përqendrohen në identifikimin e zinxhirit të transmetimit dhe izolimin e rasteve të konfirmuara dhe të dyshuara.
Zyrtarë të organizatës bëjnë të ditur se rasti i parë fatal është regjistruar më 20 prill, ndërsa disa ditë më pas është vërejtur një ngjarje me përhapje të madhe të infeksionit, e cila dyshohet se ka ndodhur në një funeral ose në një strukturë shëndetësore.
Më 12 maj, një ekip i përbashkët i qeverisë dhe OBSH-së ka marrë mostra biologjike, ku 8 nga 13 raste të testuara kanë rezultuar pozitive për Ebola.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se situata është përkeqësuar nga konflikti i vazhdueshëm në rajon dhe zhvendosja masive e popullsisë, çka ka vështirësuar identifikimin dhe kontrollin e shpërthimit.
Ndërkohë, ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se aktualisht nuk ka një vaksinë të gatshme për këtë variant të Ebola-s, ndërsa dy kandidatë të mundshëm janë ende në faza zhvillimi dhe testimi, proces që mund të zgjasë disa muaj.
OBSH thekson se prioritet mbetet ndërprerja e zinxhirit të transmetimit përmes gjurmimit të kontakteve, izolimit të rasteve dhe trajtimit të të infektuarve./mxh
