Last Updated on 20/05/2026 by EL
Donald Trump njihet botërisht për deklaratat e tij bombastike, memet dhe një stil komunikimi që shpesh kalon kufijtë e normales. Për ndjekësit e tij besnikë, ky është thjesht sensi i tij i veçantë i humorit, por për kritikët, është një tjetër “rrëshqitje gjuhe” e papranueshme.
Një episod i tillë ka ndodhur së fundmi gjatë Piknikut të Kongresit, një aktivitet tradicional i mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.
Githçka nisi mjaft ëmbël. Ishte pikërisht Zonja e Parë, Melania Trump, ajo që moderoi aktivitetin dhe prezantoi bashkëshortin e saj përpara të pranishmëve. Pasi u ngjit në podium, Donald Trump nuk i kurseu elozhet për të, duke pranuar madje se “e urren” të flasë pas saj.
“Ajo më bën të dukem shumë i mërzitshëm… Ajo bëri një film që shkoi në vendin e parë, pastaj u transmetua dhe ai gjithashtu shkoi në vendin e parë… Jemi me fat që kemi një zonjë të parë si ajo”, u shpreh Trump.
Por, pikërisht kur fjalimi po merrte një nuancë prekëse dhe romantike, Trump vendosi të shokonte të pranishmit:
“Por mos harroni: ka vend vetëm për një yll në familje, kështu që do të më duhet ta heq qafe atë!”
Siç mund të merret me mend, kjo shakë nuk u prit mirë nga të gjithë. Ndërsa një pjesë e audiencës qeshi me ironinë e tij, në rrjetet sociale shpërthyen komentet. Shumë e konsideruan deklaratën si “të pasjellshme” dhe të papërshtatshme për një skenë të tillë zyrtare.
Kjo përplasje shijesh në humor të kujton disi rivalitetin e vazhdueshëm të Trump me botën e Hollywood-it. Kujtojmë se pak kohë më parë, moderatori i njohur Jimmy Kimmel e ironizoi Melania-n gjatë ndarjes së çmimeve “Oscar”, duke thënë se dokumentari i saj nuk mori asnjë nominim – një humor që familja Trump nuk e gëlltiti kurrë.
Duket se në shtëpinë Trump, lufta për të qenë “ylli kryesor” mbetet e hapur, qoftë edhe me shaka!/ET
