Policia e Shteti ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në e-mail-et e disa institucioneve në vend është dërguar një mezash në të cilin pretendohej se në këto institucione ishte vendosur bombë.
Pas kontrolleve të kryera, policia bën me dije se nuk ka rezultuar në asnjë institucion të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Sa i përket adresës elektronike nga e cila u dërgua mesazhi, vijon të jetë ende e paidentifikuar teksa vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive./kb
