Fëmijët dhe adoleshentët në mbarë botën nuk po konsumojnë mjaftueshëm ushqime me bazë bimore, të domosdoshme për rritjen, zhvillimin dhe shëndetin e tyre afatgjatë. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në BMJ Global Health, i cili analizoi zakonet ushqimore në 185 vende gjatë periudhës 1990–2018.
Studiuesit e Universitetit Tufts në Massachusetts përpunuan të dhëna nga më shumë se 1.200 anketa ushqimore, duke përfshirë fëmijë dhe të rinj nga lindja deri në moshën 19 vjeç. Analiza u fokusua te konsumi i frutave, perimeve, bishtajoreve, farave dhe frutave të thata.
Rezultatet tregojnë se konsumi i këtyre ushqimeve mbetet i ulët në të gjitha grupmoshat. Mesatarisht, foshnjat nën një vjeç konsumojnë vetëm 1,19 porcione në ditë, ndërsa adoleshentët 15–19 vjeç arrijnë në rreth 3,55 porcione, pa dallime të rëndësishme mes vajzave dhe djemve.
Sipas studimit, vendet e Azisë Lindore dhe Juglindore, si Vietnami, Japonia, Koreja e Jugut, Kina, Tajlanda dhe Filipinet, regjistrojnë nivelet më të larta të konsumit të ushqimeve me bazë bimore, falë pranisë më të madhe të perimeve në dietën e përditshme. Në të kundërt, vendet e Azisë Jugore paraqesin nivelet më të ulëta.
Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me vendet me të ardhura të larta. Ndryshe nga pjesa tjetër e botës, aty konsumi i frutave dhe perimeve nuk rritet me kalimin e moshës. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, fëmijët nën dy vjeç konsumojnë mesatarisht 2,7 porcione në ditë, ndërsa nga mosha 2 deri në 19 vjeç kjo shifër bie në vetëm 1,8 porcione.
Sipas autorëve të studimit, faktorë si autonomia më e madhe e adoleshentëve në zgjedhjen e ushqimit, mjedisi ku jetojnë, oferta e produkteve dhe normat kulturore ndikojnë drejtpërdrejt në zakonet e tyre ushqimore. Ata theksojnë se nevojiten politika dhe iniciativa që të nxisin konsumimin e ushqimeve bimore të freskëta dhe sa më pak të përpunuara që në moshë të vogël, për të mbështetur shëndetin dhe zhvillimin e brezave të ardhshëm.
