Kapiteni mungon në stërvitje para gjysmëfinales së Botërorit, por lajmet e fundit japin shpresë për tifozët.
Një lajm ka vënë në alarm Argjentinën vetëm pak orë para një prej ndeshjeve më të mëdha të Botërorit 2026. Lionel Messi ka munguar në stërvitjen e fundit të skuadrës, duke shkaktuar shqetësim te tifozët dhe stafi teknik përpara përballjes gjysmëfinale ndaj Anglisë.
Kapiteni i “Albiceleste”-s nuk ishte pjesë e seancës stërvitore të së hënës në mbrëmje (13 korrik), çka menjëherë ngriti dyshime për gjendjen e tij fizike. Megjithatë, deri në këto momente, Federata Argjentinase nuk ka konfirmuar asnjë dëmtim të 39-vjeçarit.
Sipas raportimeve nga mediat argjentinase, mungesa e Messit nuk lidhet me një problem serioz shëndetësor, por me një vendim të stafit teknik për ta menaxhuar ngarkesën fizike të kapitenit pas përballjes së lodhshme ndaj Zvicrës në çerekfinale, e cila u vendos vetëm pas kohës shtesë.
Lajmet më të fundit nga kampi argjentinas janë pozitive. Messi pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Lionel Scaloni për gjysmëfinalen ndaj Anglisë dhe mundësitë që ai të jetë titullar mbeten të larta.
Në Argjentinë tashmë mbizotëron qetësia, ndërsa të gjithë presin të shohin kapitenin e tyre në fushë në një nga sfidat më të rëndësishme të këtij Botërori.
Me Messin në formacion, “Albiceleste” synon të bëjë hapin e fundit drejt finales dhe të vazhdojë ëndrrën për një tjetër triumf botëror./ad
