Last Updated on 14/07/2026 by Anisa
Ka nisur edhe në Lezhë zbatimi i planit të masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, ndërsa Policia e këtij qyteti ka intensifikuar kontrollet për respektimin e normave të zhurmës në zonat turistike.
Gjatë kontrolleve janë përdorur matës të posaçëm për të verifikuar nivelin e zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura, në përputhje me legjislacionin për administrimin e zhurmës në mjedis.
Sipas rezultateve të matjeve, niveli i zhurmës në të gjitha subjektet e kontrolluara ka rezultuar brenda kufijve të lejuar nga legjislacioni në fuqi. Njëkohësisht, efektivët kanë verifikuar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, i cili në zonat e banuara është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Paralelisht me kontrollet, janë zhvilluar edhe takime sensibilizuese me administratorë dhe pronarë subjektesh, aktiviteti i të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, me qëllim informimin mbi detyrimet ligjore për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmës.
Policia e Lezhës bën të ditur se kontrollet dhe monitorimi do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me synim garantimin e qetësisë për banorët dhe pushuesit që frekuentojnë bregdetin e Shëngjinit.
Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave për ndotjen akustike ose cenimit të rendit publik, ndërsa Policia garanton reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin./ad
