Fëmijët nën moshën dy vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve. Ky është përfundimi i një studimi të ri që ngre shqetësime serioze mbi ndikimin e hershëm të pajisjeve digjitale në zhvillimin e trurit dhe aftësitë njohëse të fëmijëve.
Sipas analizës, përdorimi i televizorit, telefonave celularë dhe tabletëve gjatë dy viteve të para të jetës lidhet me rreziqe afatgjata në zhvillimin e gjuhës, aftësive sociale dhe shëndetit të përgjithshëm të fëmijës. Studiuesit theksojnë se kjo periudhë është vendimtare për formimin e trurit dhe zakoneve të hershme të të nxënit.
Ekspertët paralajmërojnë se koha e kaluar para ekranit redukton ndërveprimin e drejtpërdrejtë me prindërit dhe kujdestarët, si dhe kufizon lojën me fëmijë të tjerë, elemente thelbësore për zhvillimin emocional dhe gjuhësor. Sipas tyre, kjo mund të çojë në vonesa në komunikim dhe mbistimulim të sistemit nervor.
“Përdorimi i ekraneve tek fëmijët nën dy vjeç është një shqetësim global që ende nuk po trajtohet në mënyrë të mjaftueshme,” deklaron Rafe Clayton, ligjërues i lartë në Universitetin e Leeds.
Studiuesit nga katër universitete në Mbretërinë e Bashkuar, Leeds, Leeds Trinity, Aston dhe Loughborough, rekomandojnë që fëmijët nën dy vjeç të mos kenë kohë të rregullt para ekranit dhe kërkojnë rishikimin e udhëzimeve ekzistuese që sugjerojnë përdorim të teknologjisë për të gjitha moshat.
Sipas Richard James, ekspert i sjelljeve të varësisë, mungesa e udhëzimeve të qarta po i detyron prindërit të krijojnë pa dashje zakone të hershme të varësisë ndaj pajisjeve digjitale. Ai thekson se ekspozimi i hershëm mund të ndikojë në mënyrën se si fëmijët e perceptojnë teknologjinë në të ardhmen.
Ndërkohë, ekspertët nënvizojnë se një nga arsyet kryesore të përdorimit të ekraneve në këtë moshë është ngarkesa e madhe e prindërve, të cilët shpesh i përdorin pajisjet si një mënyrë praktike për të qetësuar ose angazhuar fëmijët.
“Familjet po përballen me këtë sfidë pa mbështetjen e duhur. Përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm mbi ta,” thekson Andrea Leadsom, themeluese e Fondacionit 1001 Critical Days.
Sipas studiuesve, kompanitë teknologjike duhet të marrin më shumë përgjegjësi në mënyrën si etiketojnë dhe promovojnë përmbajtjet për fëmijët, duke shmangur mesazhe që sugjerojnë se ekranet janë të përshtatshme për foshnjat.
Ekspertët bien dakord se vitet e para të jetës janë vendimtare për zhvillimin e trurit dhe çdo ekspozim i panevojshëm ndaj ekraneve mund të ketë pasoja afatgjata në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve./ad
